Hetim tronditës në Milano: Italianë të pasur paguanin për të vrarë civilë në Bosnje
Prokuroria e Milanos ka hapur një hetim mbi pretendimet se qytetarë italianë udhëtuan drejt Bosnjës në vitet ’90 për të marrë pjesë në “safari snajperësh”, duke paguar shuma të mëdha për të qëlluar civilë në Sarajevën e rrethuar.
Këto akuza vijnë nga gazetari Ezio Gavazzeni, i cili përshkruan “gjueti njerëzish” të organizuar nga persona shumë të pasur nga pozicionet serbe rreth qytetit.
Dëshmia kyçe vjen nga një ish-oficer i inteligjencës boshnjake, i cili pretendon se në vitin 1994 shërbimi sekret italian SISMI u informua për operatorët që sillnin italianë nga Trieste në kodrat mbi Sarajevë. Sipas tij, SISMI u përgjigj se i kishte ndalur udhëtimet brenda pak muajsh.
Gavazzeni u rikthye tek tema pas dokumentarit “Sarajevo Safari” (2022), i cili pretendon se në këto vrasje kanë marrë pjesë individë nga disa vende të botës. Ai i dorëzoi prokurorisë italiane një dosje prej 17 faqesh me dëshmi dhe raporte të reja.
Sipas Gavazzenit, turmat u organizonin nga “persona shumë të pasur”, me pasion për armët, që “paguanin për të vrarë civilë të pambrojtur” nga pozicionet serbe në kodrat rreth Sarajevës. Sipas disa raporteve, tarifat ndryshonin nëse objektivi ishte burrë, grua apo fëmijë.
Më shumë se 11,000 njerëz vdiqën gjatë rrethimit brutal katërvjeçar të Sarajevës. Gjatë periudhës së rrethimit, snajperët qëllonin mbi civilët nga zonat e kontrolluara nga serbët e Bosnjës me pamje nga Sarajeva.
Jugosllavia u nda me luftë dhe qyteti u rrethua nga forcat serbe, duke u bombarduar dhe qëlluar vazhdimisht me snajperë. Akuza të ngjashme për “gjuetarë njerëzish” nga vende të tjera janë bërë disa herë gjatë viteve, por provat e mbledhura nga Gavazzeni, që përfshijnë dëshminë e një oficeri boshnjak të inteligjencës ushtarake, po shqyrtohen tani nga prokurori italian kundër terrorizmit, Alessandro Gobbis.
Civilë të tmerruar vraponin për t’i shpëtuar plumbave gjatë rrethimit të Sarajevës.
Ndërkohë, ish-ushtarakë britanikë që shërbyen në Sarajevë thonë se nuk kanë parë asnjë provë të “turizmit të snajperëve”, duke e quajtur atë “mit urban” për shkak të vështirësive logjistike në zonën e rrethuar. Megjithatë, prokuroria italiane po heton për akuzën shumë të rëndë: vrasje të kryera nga civila të huaj të paguar gjatë rrethimit më të gjatë të një kryeqyteti në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.
Përgatiti ©LAPSI.AL
