IA në kurrikula nga klasa IV: Agjenda Digjitale për Arsim

Inteligjenca Artificiale në kurrikula nga klasa e IV, pjesë e Agjendës Digjitale për Arsimin

Qeveria synon të përfshijë në mënyrë më të zgjeruar Inteligjencën Artificiale (IA) në kurrikulat e arsimit parauniversitar.

Agjenda Digjitale Për Arsimin 2025-2030 e rendit Inteligjencën Artificiale si një nga fushat që do të ketë fokus të shtuar, duke marrë parasysh praktikat e vendeve të tjera ku edukimi nis herët.

“Përfshirja e Inteligjencës Artificiale në kurrikulën e TIK-ut në arsimin parauniversitar: Me rritjen e përdorimit të IA-së në jetën tonë të përditshme, edukimi rreth IA po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Konsensusi global i shprehur në dokumentin e UNESCO-s, “Konsensusi i Pekinit për IA-në dhe Arsimin” mbështet integrimin e IA në kurrikulat shkollore. Kjo masë synon të zhvillojë dhe integrojë Inteligjencën Artificiale (IA) në arsimin parauniversitar, duke e përfshirë brenda edhe në kurrikulën ekzistuese të TIK-ut, veçanërisht për nxënësit nga klasa IV deri në klasat më të larta,” thuhet në dokument.

Ky dokument sjell si shembuj vende të tjera si Kina, Koreja e Jugut apo Gjermania.

Sipas Agjencisë, ndërsa IA bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në arsim, disa vende kanë filluar ta integrojnë atë në kurrikulat e tyre të TIK-ut ose në lëndë të ndryshme. Qasjet e integrimit janë të ndryshme, duke përfshirë:

  • Kurrikula të veçanta për IA-në si lëndë të pavarura.
  • Kurrikula ndërdisiplinore që kombinojnë IA-në me mësimin e bazuar në projekte.
  • Kurrikula fleksibël, që shkollat i përshtatin në nivel lokal.
  • Kurrikula të integruara, që përfshijnë IA në lëndët ekzistuese, si TIK dhe matematika.

“Për shembull, Kina mbulon IA nga klasat I deri në XII brenda shkencës së informacionit, ndërsa edukimi mbi IA-në në Indi është i përfshirë në laboratorët STEM për klasat VI–XII. Republika e Koresë përfshin IA-në në matematikë dhe në ekonomi shtëpiake për klasat IX–XII, ndërsa Gjermania lejon që rajonet të vendosin për integrimin e kurrikulës së IA-së në klasat I–XII. Këto modele të ndryshme nxjerrin në pah tendencën globale të përfshirjes së IA-së në sistemet arsimore për të përgatitur nxënësit për të ardhmen,” nënvizon dokumenti i publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare.

Scroll to Top