“`html
Ilir Meta dëshmoi në SPAK për “21 janarin”, Fatos Klosi: Mashtrim i pastër, po përpiqet të justifikojë Berishën
Publikuar më 18.12.2025 nga shekulli_admin
Ilir Meta dëshmoi sot vullnetarisht në SPAK për ngjarjet para dhe pas datës 21 janar 2011. Ish-presidenti u mor në pyetje për disa orë nga prokurori Alfred Shehu. Meta mësohet se ka deklaruar se shërbimet e huaja ishin në dijeni të dhunës së planifikuar nga organizatorët.
Meta, në atë kohë zëvendëskryeministër, ishte edhe arsyeja e protestës popullore, pas përgjimit të publikuar nga Dritan Prifti dhe ryshfeteve të kërkuara nga shefi i tij politik. Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, i ftuar në emisionin “Tirana Live”, u shpreh se Meta është paraqitur në SPAK për të ndihmuar Sali Berishën.
Deklarimet e Ilir Metës, sipas Klosit, janë një mashtrim i pastër. Ai shtoi se shërbimet partnere nuk njoftojnë kurrë kryeministrin apo ministrin, por partnerin e tyre në Shqipëri, siç është SHISH.
“Nuk ma merrte mendja, me hallet që ka ai, përpiqet të ndihmojë edhe Berishën, si aleatë që e ka dhe e kishte dhe atëherë më 21 janarin. Për mua është mashtrim i pastër. Shërbimet partnere nuk flasin me kryeministrin apo me ministrin, por ata kanë një partner që është shërbimi informativ dhe mund ta përdoren. Nuk justifikohet. Është e sanksionuar me ligj që të qëllohet drejt turmës. Krimi shtetëror duhet të shkohet deri në fund”, tha ai.
Ai pohoi se Meta ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme për të justifikuar veprimet e Berishës, por pavarësisht përpjekjeve, ai theksoi se Berishën nuk e mbron dot përballë “krimit shtetëror” ku katër qytetarë të pafajshëm u vranë para godinës së Kryeministrisë më 21 janar 2011.
“Ata ushtarët dhe oficerët e Gardës nuk e bënin dot pa urdhër. Ata që kanë dhënë urdhër, ata që sajuan atë ngjarje, që përfundoi me katër të vrarë dhe nuk e di për sa të plagosur, është një ngjarje më e rënda që ka ndodhur. Ai ka shkuar atje për të ndihmuar Sali Berishën, jo prokurorinë. Ai ka shkuar atje për ta justifikuar në njëfarë mënyre, sepse nuk e mbron dot. Ata janë të akuzuarit. Unë shpresoj që të dalë e vërteta, është e vështirë sigurisht. Procesi i hetimit u sabotua që në fillim. Tani është vonë, por nuk është e pamundur. Vërtet është fshirë serveri i kryeministrisë, por unë jam i sigurt që Basha, ministër i Brendshëm i asaj kohe, nuk kishte kurajon për të dhënë urdhër për të vrarë, por nga kryeministri i kohës. Ka plot njerëz që janë dëshmitarë, punonjës të Gardës, që mund të thonë të vërtetën. Kam përshtypjen se nuk ka ditur gjë i shkreti. Berisha u tall me Topin dhe me kryeprokuroren e përgjithshme. Ai i mundi ata, sepse ishte i plotfuqishëm, sepse presidentin ata e zgjodhën. Bamir Topi mbajti një qëndrim të drejtë, në përputhje me ligjin, ndërkohë Berisha, që është fajtori kryesor, bëri ç’është e mundur për të gënjyer. Deri sa Gardën e mbajtën tre ditë në kryeministri, dhe në këto ditë… Këto janë indice që tregojnë se duhet luftuar më shumë për prova. Shpresa ime është tek njerëzit. U gjuajt kur njerëzit ishin shpërndarë”, tha ai.
“`
