Ilir Meta, kërkesë GJKKO për trajtim çnjerëzor në gjyq

Avokati i Ilir Metës i drejton një kërkesë GJKKO-së

Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, përmes avokatit të tij Kujtim Cakrani, ka depozituar një kërkesë të pazakontë pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Kërkesa lidhet me mënyrën e paraqitjes së tij në sallën e gjyqit, ku sipas mbrojtjes, ai është vendosur në një kabinë xhami ose strukturë metalike izolimi.

Sipas dokumentit të paraqitur në gjykatë, mbrojtja i kërkon trupit gjykues të konstatojë shkeljen e të drejtave kushtetuese për shkak të vendosjes së Ilir Metës në kabinë xhami/kafaz hekuri. Meta kërkon që gjatë seancave ai të vendoset pranë avokatit, pa barriera fizike, gjatë gjithë procesit gjyqësor.

“I pandehuri është paraqitur në seancat gjyqësore të kësaj çështjeje në një kabinë xhami/kafaz metalik, i izoluar fizikisht dhe vizualisht nga pjesa tjetër e sallës. Ky trajtim: e stigmatizon atë para trupit gjykues, publikut dhe mediave; krijon perceptimin e rrezikshmërisë dhe ‘fajësisë së paracaktuar’; ia pamundëson komunikimin e lirë, konfidencial dhe të menjëhershëm me avokatin; e trajton si objekt sigurie, jo si subjekt të së drejtës”, thuhet në shkresë.

Në kërkesën e dorëzuar, mbrojtja pretendon se vendosja e të pandehurit në kabinë të mbyllur cënon nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), që ndalon trajtimin çnjerëzor dhe poshtërues. Mbrojtja pretendon gjithashtu se pamundësohet komunikimi i lirë dhe konfidencial me avokatin, çka, sipas tyre, cënon nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ, duke cenuar kështu të drejtën për mbrojtje efektive. Më tej, theksohet se paraqitja e tij në kabinë ndikon negativisht në prezumimin e pafajësisë.

Sipas mbrojtjes, trajtimi i tillë është në kundërshtim edhe me rekomandimet e Komitetit Evropian Kundër Torturës, i cili ka kritikuar përdorimin e kafazeve dhe ndarjeve të mbyllura në sallat gjyqësore.

Në kërkesë theksohet se, deri në ndërprerjen e kësaj praktike, “seancat gjyqësore nuk mund të zhvillohen”, duke argumentuar se trajtimi aktual cënon dinjitetin dhe standardet e një procesi të rregullt ligjor.

Scroll to Top