Incident diplomatik! Përgatitjet për pritjen e Mbretit Charles në SHBA, Shtëpia e Bardhë ngre flamurin australian
Përgatitjet në Uashington për vizitën e ardhshme të Mbretit Charles III janë shoqëruar me një incident të pazakontë diplomatik. Pranë Shtëpisë së Bardhë u vendosën gabimisht flamuj australianë në vend të atyre britanikë.
Sipas Departamentit të Transportit të Distriktit të Kolumbias, 15 flamuj të Australisë u instaluan mes mbi 230 flamujve të planifikuar për të zbukuruar rrugët e kryeqytetit amerikan në kuadër të pritjes së monarkut nga Mbretëria e Bashkuar. Gabimi u identifikua në kohë dhe u korrigjua menjëherë, duke u zëvendësuar me flamujt e duhur britanikë.
Megjithëse Mbreti Charles III është gjithashtu kreu ceremonial i shtetit në Australi, përdorimi i flamurit australian gjatë një vizite zyrtare në emër të Mbretërisë së Bashkuar do të konsiderohej një gafë serioze diplomatike.
Vizita e Mbretit Charles konsiderohet historike, pasi zhvillohet në kuadër të 250-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga sundimi britanik. Ky pritet të jetë një nga udhëtimet më të rëndësishme të tij që nga fillimi i mbretërimit, duke shpjeguar edhe nivelin e lartë të përgatitjeve dhe vëmendjes ndaj detajeve nga autoritetet amerikane.
