“Na nënvlerësoi”, Shërbimi Sekret reagon pas incidentit në eventin e Trump: Një frikacak tentoi të krijojë një tragjedi kombëtare!
Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka reaguar pas incidentit me armë që ndodhi gjatë një eventi ku ishte i pranishëm presidenti amerikan Donald Trump. Ata theksuan se ndërhyrja e shpejtë e forcave të sigurisë parandaloi një situatë shumë më të rëndë.
Në një deklaratë, zëvendësdrejtori Matthew Quinn bëri të ditur se personi i dyshuar u neutralizua menjëherë sapo hyri në kontakt me agjentët.
“Sonte, një frikacak tentoi të krijojë një tragjedi kombëtare. Ai nënvlerësoi kapacitetet mbrojtëse të Shërbimit Sekret dhe u ndalua në kontaktin e parë,” thuhet në deklaratë.
Sipas Quinn, sistemi i sigurisë funksionoi sipas parashikimeve, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës, ndërkohë që ishin në fuqi edhe masa të tjera shtesë kontrolli. Ai vlerësoi se ndërhyrja ishte rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes agjentëve të Shërbimit Sekret dhe strukturave të tjera të rendit, duke çmuar profesionalizmin e treguar gjatë menaxhimit të incidentit.
