Përleshje në një klub nate në Zvicër, plagoset punonjës sigurie
Një përleshje e dhunshme ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në një klub nate në Zvicër, ku një shtetas shqiptar nga Kosova ka plagosur me thikë një punonjës sigurie.
Sipas informacioneve nga mediat e huaja, i plagosuri është një 34-vjeçar shqiptar nga Kosova. Autori i dyshuar, 26 vjeç, është arrestuar në banesën e tij pak pas ngjarjes.
Një dëshmitar, i cili pretendon të jetë mik i autorit të dyshuar, ka dhënë versionin e tij mbi incidentin.
“Ishim rreth 15 veta, kishim rezervuar një tavolinë dhe po argëtoheshim. Kemi konsumuar alkool në sasi të konsiderueshme dhe kemi shpenzuar shumë para,” ka rrëfyer ai.
Sipas dëshmitarit, sherri ka shpërthyer pasi një nga miqtë e grupit, i cili kishte vështirësi në qëndrim në këmbë, u nxor me forcë jashtë nga rojet e sigurimit.
“Ne kundërshtuam dhe dolëm me të. Aty, rojet filluan të na godisnin,” ka shtuar ai.
Nga përplasja që ndodhi jashtë klubit, raportohet se kanë mbetur të lënduar disa persona, përfshirë edhe punonjësin e sigurimit që u godit me thikë.
Autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Autori i dyshuar aktualisht ndodhet në paraburgim dhe pritet të dalë para gjykatës ditët në vijim.
