“`html
Ulet përsëri inflacioni bazë, rritja e normave të interesit duket më larg
Inflacioni bazë shënoi ulje për të dytin muaj radhazi në gusht. Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni vjetor bazë ra në 2.78%, nga 3.15% që ishte një muaj më parë. Madje, inflacioni bazë i është kthyer rënies vjetore, duke zbritur lehtësisht nën nivelin prej 2.84% që kishte qenë një vit më parë.
Për herë të parë pas shumë vitesh, inflacioni bazë qëndron për të dytin muaj radhazi nën nivelin e inflacionit total në ekonomi, i cili për gushtin shënoi 3.2%. Rënia e inflacionit bazë në dy muajt e fundit mund të jetë e lidhur me efektin e bazës krahasuese të nëngrupit të qirave, i cili ka dhënë kontributin kryesor në rritjen e inflacionit bazë në vitet e fundit.
Për gushtin e këtij viti, inflacioni për këtë nëngrup ra në 4.7%, nga 5.2% që kishte qenë për korrikun. Ky ndryshim duket të jetë i lidhur me mbylljen e ciklit 12-mujor, pasi inflacioni i këtij grupi kishte shënuar përshpejtim të ndjeshëm që nga sezoni veror i vitit 2025.
Nën-shporta që mat inflacionin bazë përfshin një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.8% të totalit të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Inflacioni bazë përjashton produkte me luhatshmëri të lartë, si ato ushqimore dhe energjetike. Qëllimi kryesor i llogaritjes së tij është zhveshja e rritjes së përgjithshme të çmimeve nga luhatjet afatshkurtra. Ai është një indikator i rëndësishëm për të kuptuar tendencat më afatgjata të çmimeve dhe monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë.
Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto pësoi rënie të ndjeshme për të dytin muaj radhazi. Për gushtin, ky tregues zbriti në nivelin 2.85%, nga 3.26% që kishte qenë në korrik. Edhe inflacioni bazë neto i është kthyer rënies vjetore, nga niveli prej 2.99% i një viti më parë.
Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 49% të shportës së IÇK-së. Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike në gusht 2026 ra në nivelin 2.8%, nga 3.2% që kishte qenë në korrik, si dhe në rënie nga niveli 2.89% ku qëndronte një vit më parë.
Ngadalësimi i inflacionit bazë aktualisht zbut presionin mbi ecurinë e përgjithshme të çmimeve dhe e bën atë më të varur nga zhvillimet gjeopolitike, të cilat kanë sjellë rritje të çmimeve të naftës dhe rrjedhimisht të karburanteve në tregjet botërore. Megjithëse nafta ka arritur në kufijtë e 230 lekëve për litër, inflacioni pësoi rënie në muajin gusht.
Rënia e njëkohshme e inflacionit dhe inflacionit bazë, për momentin, duket se e largon mundësinë e rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë. Banka jonë qendrore deri tani ka vendosur të mos nisë një cikël shtrëngimi monetar, ndryshe nga Banka Qendrore Europiane, e cila e ka rritur dy herë normën bazë këtë vit dhe nga Rezerva Federale, që ndërmori një lëvizje të tillë këtë muaj.
Mbledhja e ardhshme e Këshillit Mbikëqyrës me objekt vendimmarrjen e politikës monetare do të zhvillohet në datën 7 tetor. Burimi: BSH
“`
