Plani Operacional për Ndërtimin: 2,200 Punonjës më Shumë të Deklaruar
Sektori i ndërtimit ka shënuar rritje të pagave, kontributeve dhe numrit të punonjësve të deklaruar në qershor 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të publikuara nga Administrata Tatimore, paga bruto gjithsej në sektor është rritur me 23%, ndërsa paga bruto mbi të cilën llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore është rritur me 20%.
Në të njëjtën periudhë, totali i kontributeve të paguara nga sektori i ndërtimit është rritur me 25%, ndërsa Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP) është rritur me 49%. Rritje është regjistruar edhe në numrin e punonjësve të deklaruar. Në qershor 2025 sektori kishte 63,041 punonjës, ndërsa në qershor 2026 numri arriti në 65,241, ose 2,200 punonjës më shumë, me një rritje prej rreth 3.5%.
Rritje e Punonjësve në Nivelet më të Larta të Paga
Të dhënat tregojnë ndryshime të ndjeshme edhe në shpërndarjen e punonjësve sipas fashave të pagave:
- Numri i punonjësve me paga 70,001–100,000 lekë është rritur me 119%.
- Ata në fashën 100,001–120,000 lekë janë rritur me 79%.
- Për pagat mbi 120 mijë lekë, rritja është 49%.
Ndërkohë, numri i punonjësve në disa prej fashave më të ulëta ka shënuar rënie:
- Punonjësit me paga 40,001–49,999 lekë janë ulur me 91%.
- Në fashën e pagës 40,000 lekë, rënia është 99%.
Një tjetër rritje e fortë është regjistruar te paga 50,000 lekë, ku numri i punonjësve është rritur me 156%.
Sipas Administratës Tatimore, zbatimi i Planit Sektorial të Ndërtimit lidhet me angazhimin për formalizimin e sektorit, duke reflektuar në më shumë punonjës të deklaruar, paga më të larta dhe rritje të kontributeve.
