Inspektori i IKMT-së në Kukës arrestohet për kërcënim ndaj drejtorit rajonal
Një inspektor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në Drejtorinë Rajonale të Kukësit është arrestuar nga policia pasi ka kërcënuar drejtorin rajonal, Besart Tota. Ngjarja ka ndodhur pas konstatimit të gërmimit të një toke në fshatin Krenzë, nga ana e një 33-vjeçari, i cili rezulton të jetë djali i xhaxhait të të arrestuarit.
Arrestimi i 46-vjeçarit, inspektor në IKMT Kukës, u bë pas kallëzimit të zotit Tota, i cili pretendoi se ishte kërcënuar për shkak të detyrës. Si pasojë e këtij konstatimi, 33-vjeçari në fjalë do të hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”.
Në njoftimin e policisë sqarohet se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës kanë arrestuar në flagrancë shtetasin D. H., 46 vjeç, banues në Kukës, i cili mban detyrën e inspektorit pranë Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, Kukës. Ai akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.
Arrestimi u krye pas denoncimit të drejtuesit të Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, Kukës, shtetasit B. T., i cili deklaroi se është kanosur për shkak të detyrës nga shtetasi D. H., lidhur me një aktkonstatim për gërmimin e tokës në fshatin Krenzë, nga shtetasi M. L. (djali i xhaxhait të të arrestuarit).
Në vijim të veprimeve hetimore, është nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. L., 33 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, pasi kishte kryer gërmimin e dheut në zonën e fshatit Krenzë.
Materialet e dosjes i janë kaluar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.
