Interi i ri, problemet e vjetra: Kivu përballë sfidës që Inzagi nuk e fitoi
Dy ndeshjet e fundit, kundër Veronës dhe Kairat Almatit, kanë treguar se Interi i drejtuar nga Kristian Kivu ende vuan nga problemet e vjetra: rënia e përqendrimit pas marrjes së avantazhit dhe nënvlerësimi i kundërshtarëve më të dobët.
Në stadiumin “Bentegodi”, zikaltrit dominuan pjesën e parë, por u tërhoqën pas golit të parë, duke rrezikuar një barazim që do t’u kishte kushtuar shtrenjtë. Në Europë, kundër Kairatit, ekipi shfaqi të njëjtin sindrom – mungesë tensioni dhe ritëm i ulët, me disa lojtarë që pranuan hapur se e kishin marrë ndeshjen lehtë.
Federiko Dimarko dhe Karlos Augusto folën për “mungesë përqendrimi”, një autokritikë që Kivu e mori shumë seriozisht. Sipas burimeve pranë skuadrës, trajneri ka folur ashpër në dhomën e zhveshjes, duke theksuar: “Jemi Inter, dhe Inter nuk e fiton asnjë ndeshje vetëm me emrin. Duhet punë dhe respekt për çdo kundërshtar.”
Në horizont e pret një seri vendimtare: Lacio, më pas derbi me Milanin, dhe përfundimisht sfida e Champions League me Atletiko Madrid. Tre prova që do tregojnë nëse ky Inter mund të kapërcejë dobësitë e së kaluarës.
Në sezonin e kaluar, me Simone Inzagin, ekipi shpesh rrëshqiste pikërisht në këto ndeshje “të lehta”, duke humbur terren në garën për titull. Tani Kivu duhet të tregojë se di ta ndalë këtë rreth vicioz dhe të ndërtojë një mentalitet të ri, më të fortë dhe më konstant.
Për momentin, sinjalet janë të përziera: cilësia ekziston, por mungon vazhdimësia. Vetëm rezultatet e ardhshme do tregojnë nëse Interi i ri është gati të dalë nga hija e së shkuarës.
Ndal Lacios të dielën në mbrëmje
Interi pritet të ketë një tjetër test shumë delikat të dielën në mbrëmje, përballë Lacios, skuadra që i largoi titullin zikaltërve një sezon më parë, pas barazimit 2-2 në “San Siro”, pas golit të shënuar nga Pedro.
Një Inter që do të kërkojë fitoren e tretë radhazi mes Champions League dhe kampionatit, por mbi të gjitha do duhet të përmirësojë ndjeshëm nivelin e performancës së shprehur në fushë nga lojtarët, sidomos në ndeshjet e fundit.
