Presidenti i Interit, Xhuzepe Marota, ka shprehur entuziazëm për mbylljen me fitim të bilancit të klubit dhe për blerjen e stadiumit “San Siro”.
“Është hera e parë që Interi mbyll një bilanc me fitim. Kjo është një arritje historike, e cila vjen si rezultat i punës dhe vizionit”, deklaroi Marota.
Ai theksoi se sukseset në Champions League dhe në Botërorin e Klubeve kanë qenë faktorë kyç për stabilitetin ekonomik të klubit. Lidhur me blerjen e stadiumit, Marota e cilësoi si “një akt me vlerë simbolike për qytetin”, duke shtuar se modernizimi i tij është i nevojshëm për futbollin aktual.
Duke iu referuar procedurave të nisura menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për stadiumin, Marota komentoi me ironi: “Marrëveshja u firmos në orën 12, dhe në orën 13 Prokuroria hapi dosjen. Kjo është Italia.”
Presidenti kërkoi bashkëpunim ndërmjet institucioneve për të finalizuar ndërtimin e stadiumit të ri brenda pesë vitesh, me qëllimin që Milano të ketë një impiant modern deri në Euro 2032.
