Investime 914M€ Energji 2026-2027, 600MW Renovueshmë

Programi i Reformave: Nevojiten 914 Milionë Euro Investime Private në Energji, Priten në 2026-2027

Nevojat për kapacitete të reja energjetike pritet të plotësohen me investime shtesë, të cilat parashikohet të jenë të vrullshme, të paktën sipas programit të reformave ekonomike 2026-2028.

Drafti i propozuar për konsultim thekson se të paktën 600 MW kapacitete të instaluara parashikohet të realizohen nga investime private, duke afruar vlerën në rreth 1 miliardë euro.

Sipas dokumentit, ankandet e zhvilluara për projektet e energjisë kanë qenë hapi i parë drejt shtimit të kapacitetit nga burimet e rinovueshme dhe zhvillimit të tregut.

“Plani i ankandit, i bazuar në sasi për burimet e ripërtëritshme, tregon vëmendje të kujdesshme ndaj kapacitetit të përthithjes së tregut dhe sfidave të integrimit të sistemit. Shtimi i planifikuar prej të paktën 600 MW kapacitet të ri të ripërtëritshëm është kalibruar për t’u përputhur me zhvillimin e rrjetit dhe pjekurinë e tregut. Ndikimi ekonomik i kësaj reforme për periudhën afatmesme përqendrohet kryesisht te nevojat për investime për të gjeneruar kapacitetet e synuara (600 MW). Për të arritur këtë objektiv të investimeve shtesë në kapacitetet e gjenerimit të energjisë diellore dhe të erës, nevojiten investime private prej rreth 914 milionë euro”, thuhet në program.

Dokumenti nënvizon se vlerësimet e investimeve bazohen në kostot e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme (IRENA) për investimet në energjinë e rinovueshme.

“Ky investim shtesë është planifikuar të ndodhë në vitet 2026 dhe 2027 dhe është futur si një shok i jashtëm në skenarin bazë makroekonomik”, thekson programi.

Programi prek gjithashtu reformën e tarifave, duke nënvizuar nevojën për balancimin mes kërkesave të tregut dhe mbrojtjes sociale.

“Masat kundër varfërisë energjetike shtrihen përtej subvencioneve të thjeshta, duke përfshirë përmirësime të efikasitetit energjetik dhe mbështetje për zgjidhje të shpërndara nga burimet e ripërtëritshme. Kjo qasje gjithëpërfshirëse synon adresimin e shkaqeve rrënjësore të varfërisë energjetike, duke mbështetur njëkohësisht objektivat e gjerë të tranzicionit energjetik. Programi përfshin mbështetje të synuar për rinovime ndërtesash, pajisje efikase dhe instalime të vogla të burimeve të ripërtëritshme për familjet vulnerabël”, sqarohet më tej në dokumentin qeveritar të nxjerrë për konsultim.

Scroll to Top