Strategjia e zhvillimit minerar 2026-2040: 181 milionë euro për investime dhe rrugën drejt BE-së
Rritja e investimeve për të nxitur sektorin minerar dhe plotësimi i kushteve të nevojshme para anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian do të kërkojnë miliona euro në vitet e ardhshme.
Qeveria ka analizuar dy opsione për nevojat e investimeve dhe planifikimin buxhetor në kuadër të një strategjie për vitet 2026-2040, dedikuar zhvillimit të këtij sektori, duke zgjedhur një variant me koston 181 milionë euro.
Sipas strategjisë, metodologjia përcakton dy periudha buxhetore të dallueshme:
- Një fazë e parë e investimeve të shtuara deri në vitin 2030, e cila përkon me objektivin kombëtar të aderimit në Bashkimin Europian.
- Një fazë e dytë e konsolidimit për periudhën 2031–2040, ku fokusi zhvendoset drejt ruajtjes dhe zgjerimit të arritjeve.
Në fazën 2026–2030, politikat e Strategjisë Minerare janë të sinkronizuara me S3 (Strategjia e Specializimit të Smart), duke ruajtur një tavan buxhetor në përputhje me pritshmëritë ambicioze të kësaj strategjie. S3 parashikon një financim total prej rreth 5,912,000,000 lekësh (54,993,500 euro) për periudhën 2025–2030, që korrespondon me rreth 11 milionë euro në vit. Ky nivel është dukshëm më i lartë se buxheti mesatar vjetor historik i sektorit (rreth 5.1 milionë euro/vit).
Kjo kërkon mobilizimin e burimeve shtesë përtej fondeve tradicionale buxhetore, veçanërisht për masat që lidhen me modernizimin teknologjik, dixhitalizimin, kërkim–zbulimin (përfshirë survejet ajrore), standardizimin sipas UNFC (Klasifikimi i Norvegjisë për Burimet Minerale dhe Rezervat) dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore e institucionale.
Në fazën e dytë, 2031–2040, buxheti vjetor parashikohet të rritet me një normë fikse prej 3% në vit, me qëllim ruajtjen e fuqisë blerëse reale, garantimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe vijueshmërinë e investimeve në infrastrukturën minerare dhe ekosistemin CRM/SR (Burimet e Mineraleve të Kufizuara/Burimet Strategjike).
Strategjia argumenton se Opsioni II merr si bazë mesataren vjetore të buxhetit të parashikuar nga S3 për periudhën 2025–2030 (1,182,400,000 lekë) dhe aplikon indeksimin 3% mbi këtë nivel për vitet 2031–2040. Kjo qasje shmang rrezikun e nënvlerësimit të nevojave financiare, duke reflektuar më besnikërisht kostot reale të modernizimit industrial, kërkimit dhe infrastrukturës teknologjike.
Në këtë kuptim, Opsioni II siguron një planifikim më realist dhe të qëndrueshëm afatgjatë, sepse mbështetet në kapacitetin mesatar pesëvjeçar të projektuar nga S3 dhe krijon hapësirë të mjaftueshme për të përballuar angazhimet që burojnë nga CRMA (Akti për Menaxhimin e Burimeve Minerale), standardet mjedisore dhe kërkesat e raportimit ndërkombëtar (UNFC–CRIRSCO, ETS/CBAM).
Dokumenti ka të paktën pesë politika të zhvilluara brenda tij:
- Forcimi i vlerësimit dhe nxjerrjes së burimeve.
- Modernizimi, riciklimi dhe diversifikimi i zinxhirit të plotë të vlerës në sektorin minerar.
- Siguria, mjedisi dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
- Forcimi i kapitalit njerëzor dhe teknologjisë.
- Informacion i integruar dhe transparencë.
