Investimet e Huaja Drejt Një Faze të Re: Mekanizmi i Ri Synon Transparencë dhe Besim
Shqipëria po përgatitet të zbatojë një mekanizëm të ri për shqyrtimin e investimeve të huaja në sektorët strategjikë. Ky nismë synon të rrisë sigurinë ekonomike dhe të garantojë një mjedis më transparent për investitorët.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi këtë iniciativë gjatë aktivitetit “Albania’s Foreign Direct Investment Screening Framework”, të organizuar nga AmCham Albania në bashkëpunim me Center for International Private Enterprise. Sipas ministres, mekanizmi i ri, i cili ka qenë në proces zhvillimi për më shumë se dy vjet, është një hap thelbësor në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ibrahimaj theksoi se ky instrument ka për qëllim të ofrojë një kontroll më të mirë të investimeve në sektorë me rëndësi strategjike, pa cënuar ambientin e hapur të biznesit në vend. Autoritetet vlerësojnë se kuadri i ri do të sjellë më shumë transparencë, parashikueshmëri dhe siguri për investitorët e huaj, duke afruar kështu Shqipërinë me standardet europiane në këtë fushë.
“Prej më shumë se dy vitesh kemi punuar për ngritjen e këtij mekanizmi, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e instrumenteve shtetërore në funksion të sigurisë ekonomike, transparencës dhe mbrojtjes së interesave strategjike të vendit”, u shpreh ajo.
Ministrja sqaroi se kuadri i ri nuk ka për qëllim të vendosë kufizime për investitorët, por të krijojë më shumë siguri dhe parashikueshmëri në treg. “Ky mekanizëm nuk krijon pengesa për biznesin dhe as procedura të panevojshme administrative. Përkundrazi, ai garanton më shumë siguri, më shumë transparencë dhe një mjedis më të besueshëm për investitorët seriozë që zgjedhin Shqipërinë për të investuar”, tha Ibrahimaj.
Gjatë aktivitetit, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, e cilësoi kuadrin shqiptar për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte si një zhvillim të rëndësishëm. Ajo theksoi se ky mekanizëm nuk është thjesht një procedurë administrative, por një sinjal për investitorët se Shqipëria mbetet e hapur ndaj investimeve, duke mbrojtur njëkohësisht interesin kombëtar dhe standardet ndërkombëtare.
VanHorn vuri në dukje se investitorët, përfshirë ata amerikanë, po e ndjekin me vëmendje këtë proces. Ajo shtoi se kompanitë amerikane janë tashmë të pranishme në sektorë si energjia, ndërtimi dhe teknologjia, ndërsa të tjera po shqyrtojnë mundësinë për të investuar në Shqipëri. Sipas saj, investitorët kërkojnë rregulla të qarta, kushte të barabarta konkurrimi dhe mbrojtje të sektorëve strategjikë, ndërsa theksoi se suksesi i mekanizmit do të varet nga mënyra se si ai do të zbatohet në praktikë.
Duke folur për klimën ekonomike në vend, Ibrahimaj vlerësoi rritjen e investimeve të huaja direkte, të cilat sipas saj, vitin e kaluar kanë kaluar nivelin e 1.6 miliardë eurove.
“Investimet e huaja direkte janë një tregues i rëndësishëm i besimit që investitorët kanë ndaj ekonomisë sonë. Ato nuk kontribuojnë vetëm në rritjen ekonomike, por edhe në transferimin e standardeve më të mira të menaxhimit, teknologjisë dhe zhvillimit të biznesit. Për këtë arsye, është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë të mbetet një ekonomi e hapur dhe konkurruese, ndërsa njëkohësisht forcon kapacitetet për mbrojtjen e interesave të saj strategjike”, deklaroi ajo.
Në fund, ministrja siguroi se bashkëpunimi me komunitetin e biznesit do të vijojë edhe gjatë fazës së zbatimit të mekanizmit. “Objektivi ynë mbetet i pandryshuar: të ndërtojmë institucione më të forta, të rrisim konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe të garantojmë një klimë biznesi gjithnjë e më transparente dhe tërheqëse për investimet cilësore”, përfundoi ministrja Ibrahimaj.