Vendosja e taksave kundër parimeve të së drejtës ndërkombëtare
Macron për Ngushticën e Hormuzit: Tarifat do të rrisnin çmimet për të gjithë
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Franca nuk dëshiron të vendosë tarifa për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, të cilat do të aplikoheshin ndaj Omanit dhe Iranit.
Ai vuri në dukje se një masë e tillë do të krijonte një precedent që mund të ndikonte në kalime të tjera detare strategjikisht të rëndësishme në rajone të ndryshme të botës. Kjo do të rezultonte në një rritje të kostos së transportit detar dhe, rrjedhimisht, të çmimeve në nivel ndërkombëtar.
Presidenti francez gjithashtu theksoi se vendosja e taksave nuk është në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Ai nënvizoi se Franca mbetet e përkushtuar për të mbrojtur rregullat ndërkombëtare që rregullojnë lirinë e lundrimit.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi se çështja e “tarifave të shërbimit”, e cila u shtua në minutën e fundit marrëveshjes, nuk është aktualisht përparësia më urgjente. Sipas tij, çështja kryesore është rihapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit dhe rivendosja e lundrimit në rajon.
“Prioriteti është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, lejimi i anijeve, tankerëve të lundrojnë dhe lirimi i ekuipazheve që kanë qenë të bllokuar prej muajsh”, tha ai.
Duke iu referuar marrëveshjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, Macron tha se ajo është nënshkruar tashmë elektronikisht. Ai shtoi se anekset përkatëse të marrëveshjes pritet të nënshkruhen të premten, duke nënvizuar nevojën për të ecur përpara me procedurat e zbatimit të saj menjëherë.
