Irani denoncon Australinë: Garda Revolucionare terroriste, akt ofendues

Garda Revolucionare shpallet organizatë terroriste, Irani denoncon Australinë: “Akt ofendues!”

Irani ka shprehur kundërshtimin e tij të fortë ndaj vendimit të qeverisë australiane për të shtuar Gardën Revolucionare të Republikës Islamike, e njohur si ushtria ideologjike e Iranit, në listën e zezë. Ky veprim vjen pas akuzave të Australisë se Garda Revolucionare ka qenë e përfshirë në sulme të synuara kundër komunitetit hebre në Australi.

Diplomacia australiane ka bërë të ditur se qeveria e saj ka klasifikuar Gardën si sponsor shtetëror i terrorizmit. Ministrja e Jashtme, Penny Wong, ka akuzuar ushtrinë ideologjike të Iranit për orkestrimin e sulmeve që synonin komunitetin hebre në Sidnej dhe Melburn, bazuar në vlerësimin e inteligjencës.

Më herët, Kryeministri australian Anthony Albanese kishte deklaruar se Irani qëndronte pas një zjarri në një kafene hebreje pranë Sidnejit në tetor 2024, si dhe një sulmi ndaj një sinagogeje në Melburn në dhjetor 2024. Megjithëse këto sulme nuk shkaktuan viktima, Irani i ka hedhur poshtë këto akuza në gusht.

Në një deklaratë, diplomacia iraniane ka dënuar ashpër Australinë për këtë veprim “ofendues dhe të pajustifikuar”, duke theksuar se ai shkel normat dhe standardet ligjore ndërkombëtare lidhur me sovranitetin kombëtar të shteteve.

Mediat e huaja raportojnë se në gusht, autoritetet australiane e shpallën ambasadorin iranian “persona non grata”, duke i dhënë atij dhe tre diplomatëve të tjerë iranianë shtatë ditë kohë për t’u larguar nga vendi. Për pasojë, Kanberra pezulloi aktivitetet e ambasadës së saj në Teheran dhe tërhoqi ambasadorin e saj nga Irani.

Më 4 shtator, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, njoftoi largimin e ambasadorit australian dhe sqaroi se Irani, si rrjedhojë, kishte kufizuar praninë diplomatike të Australisë në Teheran.

Scroll to Top