Irani ekzekuton person të dënuar për spiunazh në favor të Izraelit
Irani ka ekzekutuar një person të dënuar për spiunazh në favor të agjencisë së inteligjencës së Izraelit, njoftoi sistemi gjyqësor më 19 tetor. Ky është ekzekutimi i fundit në një seri masash të ashpra që Irani ka ndërmarrë së fundmi, pas përleshjeve mes Iranit dhe Izraelit të zhvilluara në qershor të këtij viti.
Sipas Kazem Mousavi, kryegjyqtar i provincës Kom, ekzekutimi i spiunit u krye në burgun e Komit pasi Gjykata Supreme konfirmoi vendimin dhe refuzoi kërkesën për amnisti. Informacionet u bënë publike nga faqja zyrtare e gjyqësorit iranian, Mizan Online.
Identiteti i personit të ekzekutuar, i cili u dënua me varje të shtunën në qytetin e shenjtë të Komit, në jug të Teheranit, nuk është bërë publik.
Autoritetet iraniane deklarojnë se i dënuari kishte filluar kontaktet me shërbimin izraelit të inteligjencës në tetor 2023 dhe u arrestua midis janarit dhe shkurtit 2024. Hetimet kanë zbuluar se ai pranoi bashkëpunimin me agjencinë izraelite të inteligjencës, Mossad, duke u dërguar informacione konfidenciale nëpërmjet internetit.
Më herët gjatë muajit, gjashtë persona u ekzekutuan në provincën Kuzestan nën akuza për terrorizëm. Më pak se një javë më parë, një person, i cilësuar si një nga spiunët kryesorë të Izraelit, u ekzekutua me varje.
Një tjetër person, Roozbeh Vadi, u ekzekutua nën dyshimin se kishte zbuluar informacione për një shkencëtar bërthamor të vrarë gjatë konfliktit të qershorit.
Republika Islamike e Iranit, e cila kryen ekzekutime me varje, renditet e dyta në botë pas Kinës për numrin më të lartë të ekzekutimeve të kryera, sipas organizatave për të drejtat e njeriut.