Irani zbut tonet pas protestave të dhunshme: Komunikimi me SHBA mbetet i hapur
Irani duket se ka ndryshuar qëndrim pas reagimit të ashpër dhe sfidues të Ajatollah Ali Khamenei. Ministria e Jashtme iraniane ka lënë një “dritare të hapur” për bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministria e Jashtme e Iranit tashmë deklaron se kontakti me të dërguarin special të Trump, Steve Witkoff, mbetet “i hapur”. Zëdhënësi Esmaeil Baghaei është shprehur se komunikimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon të jetë i hapur.
“Kanali i komunikimit midis ministrit tonë të jashtëm Abbas Araghchi dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së [Steve Witkoff] është i hapur dhe mesazhet shkëmbehen sa herë që është e nevojshme,” u shpreh ai.
Baghaei shtoi se kontakti mbetet i hapur edhe përmes ndërmjetësit tradicional, Zvicrës.
Ky reagim vjen pas deklaratës së ministrit të jashtëm Abbas Araghchi, i cili mëngjesin e sotëm u shpreh se Irani ishte gati për luftë, por edhe për dialog.
