Një 28-vjeçar norvegjez, i cili punonte si roje sigurie në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Oslo, është dënuar me 3 vite e 7 muaj burg për spiunazh në shërbim të Rusisë dhe Iranit. Ai akuzohet se ka ofruar plane dhe informacione për aktivitetet e ambasadës amerikane nga marsi deri në nëntor 2024, në këmbim të 10,000 eurove nga pala ruse dhe 0.17 bitcoin nga pala iraniane.
Gjykata e Oslos konstatoi se informacionet e transmetuara ishin “të një natyre që mund të përdoreshin për veprime të drejtpërdrejta dhe sulme fizike ndaj personave të përfshirë”, duke shtuar se i pandehuri ishte i vetëdijshëm për dëmin që mund t’i shkaktonte interesave të sigurisë së SHBA-së.
I pandehuri pranoi faktet gjatë gjykimit, duke u shprehur se veproi si formë proteste kundër qëndrimit të SHBA-së në luftën në Gazë, por mohoi akuzën për spiunazh të rëndë. Ai pretendoi se informacionet e dorëzuara nuk ishin të klasifikuara.
Avokatja mbrojtëse kritikoi vendimin, duke e cilësuar si një “interpretim shumë të gjerë” të ligjit për ofrimin e paligjshëm të informacionit, duke theksuar se klienti i saj kishte akses të kufizuar dhe informacionet ishin pa vlerë.
Hetimet zbuluan se i pandehuri kishte dhënë autoriteteve ruse dhe iraniane emra, adresa, numra telefoni, targa makinash të diplomatëve dhe punonjësve të ambasadës amerikane, si dhe të dhëna për familjarët e tyre. Ai kishte dorëzuar gjithashtu plane të ndërtesës së ambasadës dhe procedura sigurie.
Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të ashpër, gjashtë vite e katër muaj burg, për këtë vepër që mund të dënohet deri në 21 vite heqje lirie.