Mes kritikave ndërkombëtare, Izraeli miraton ndërtimin e 764 njësive të reja në Bregun Perëndimor.
Izraeli ka dhënë miratimin përfundimtar për ndërtimin e 764 njësive të reja banimi në tre vendbanime në Bregun Perëndimor të pushtuar, konfirmoi të hënën Ministri i Financave Bezalel Smotrich. Ky vendim vjen në një kohë tensionesh të larta dhe akuzash të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Sipas Smotrich, i cili është një figurë ultranacionaliste që kundërshton krijimin e një shteti palestinez, nga fundi i vitit 2022 e deri më sot janë miratuar gjithsej 51,370 njësi banimi të reja nga Këshilli Suprem i Planifikimit. Ai e ka përshkruar këtë proces si “një revolucion” që synon forcimin e vendbanimeve dhe “të ardhmen e Shtetit të Izraelit”.
Njësitë e reja do të ndërtohen në vendbanimet Hasmonaim, Givat Zeev dhe Beitar Illit, zona këto të vendosura pranë Jerusalemit dhe Vijës së Gjelbër.
Shumica e fuqive botërore dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i konsiderojnë vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara që prej luftës së vitit 1967 si të paligjshme. Wasel Abu Yousef, anëtar i komitetit ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, deklaroi për Reuters se të gjitha vendbanimet “janë të paligjshme dhe kundër legjitimitetit ndërkombëtar”.
Izraeli, nga ana tjetër, mbron qëndrimin se vendbanimet janë thelbësore për sigurinë e tij dhe se lidhjet biblike, historike dhe politike me territorin e justifikojnë praninë izraelite në zonë.
Ndërkohë, raportet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se dhuna e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve është intensifikuar ndjeshëm. Vetëm në tetor janë regjistruar 264 sulme – numri më i lartë mujor që kur OKB nisi dokumentimin e incidenteve të tilla në vitin 2006.
Vendimi i ri pritet të ashpërsojë më tej tensionet midis Izraelit dhe Palestinës dhe të nxisë reagime të reja diplomatike nga komuniteti ndërkombëtar.
