Netanjahu kundër pjesëmarrjes turke, DW: Izraeli dëshiron të vendosë vetë për trupat ndërkombëtare
Izraeli dëshiron të përcaktojë vetë se cilat shtete do të mund të marrin pjesë në trupën paqeruajtëse ndërkombëtare të planifikuar për Rripin e Gazës.
“Ne kemi kontroll mbi sigurinë tonë dhe gjithashtu e kemi bërë të qartë se edhe në lidhje me forcat ndërkombëtare, Izraeli do të përcaktojë se cilat forca janë të papranueshme për ne”, tha kryeministri Benjamin Netanjahu gjatë një mbledhjeje të kabinetit. Ai shtoi se kjo qasje është e pranueshme edhe për Shtetet e Bashkuara.
Trupa paqeruajtëse është pjesë e planit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës. Qeveria amerikane e ka përjashtuar tashmë dërgimin e trupave të saj në Rripin e Gazës dhe u ka bërë thirrje shteteve arabe dhe atyre myslimane të kontribuojnë me fonde dhe trupa.
Trupa paqeruajtëse mund të përfshijë ushtarë nga Egjipti, Indonezia dhe shtetet arabe të Gjirit Persik. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse këto apo shtete të tjera do të marrin vërtet pjesë.
Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi gjatë një vizite në Izrael se trupa ndërkombëtare duhet të përbëhet nga “vende me të cilat Izraeli është dakord”. Ai shtoi se puna për të organizuar një forcë të tillë është ende duke u zhvilluar, por nuk pranoi të komentojë se me cilat vende mund të mos jetë dakord Izraeli.
Së fundmi, Netanjahu la të kuptohet se do ta refuzojë pjesëmarrjen e forcave turke të sigurisë. Turqia, megjithëse është anëtare e NATO-s dhe një nga fuqitë më të forta ushtarake në rajon, strehon zyrtarë të lartë të Hamasit dhe e ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për gjenocid, akuzë që Izraeli e mohon fuqimisht.
