Japonia proteston kundër vizitës së Putinit në Ishujt Kuril; Ministri i Jashtëm japonez: Territori na përket sipas së drejtës ndërkombëtare
Ministri i Jashtëm japonez, Toshimitsu Motegi, deklaroi se Tokio i konsideron këto ishuj si pjesë të Japonisë, si historikisht, ashtu edhe në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Ai theksoi se qeveria japoneze “proteston fuqishëm” kundër vizitës së Presidentit rus Vladimir Putin.
Ishujt, të njohur në Japoni si Territoret Veriore, aktualisht administrohen nga Rusia dhe janë në qendër të një mosmarrëveshjeje territoriale që ka zgjatur për dekada. Kjo çështje ka qenë një nga pengesat kryesore për nënshkrimin e një traktati paqeje mes Moskës dhe Tokios pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë vizitës së tij në Iturup, një nga ishujt në fjalë, Putin u takua me banorë vendas dhe provoi produkte lokale. Mediat shtetërore ruse e paraqitën vizitën si pjesë e përpjekjeve për zhvillimin e rajonit.
Ishujt kanë gjithashtu rëndësi strategjike të konsiderueshme për Rusinë. Iturupi shërben si një nga bazat kryesore ajrore ushtarake ruse në këtë zonë. Tensionet janë shtuar edhe për shkak të aktivitetit ushtarak në rajon.
Muajin e kaluar, anije luftarake ruse dhe kineze zhvilluan një patrullim të përbashkët në ujërat pranë Ishujve Kuril. Më herët, Rusia ka zhvilluar edhe stërvitje ushtarake në zonë, veprime këto që kanë shkaktuar protesta nga Japonia.
