Kadastra Miraton Procedurat për Privatizimin e Truallit të Ish-Ndërmarrjeve Shtetërore
Agjencia e Kadastrës Shtetërore (ASHK) ka miratuar procedurat e reja për procesin e privatizimit të tokës në ish-ndërmarrjet shtetërore apo ish-kooperativat bujqësore. Katër kategori qytetarësh do të përfitojnë, duke përfshirë pronarë ndërtesash, individë me leje ndërtimi, ata me mungesë dokumentacioni apo mospërputhje sipërfaqesh, si dhe ata që kanë kryer ndërtime pa leje mbi truallin e ish-ndërmarrjeve shtetërore.
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 4, datë 15.01.2026, përcakton procedurat për kalimin në pronësi të truallit shtetëror në përdorim, në zbatim të nenit 63 të ligjit nr. 20/2020. Këto procedura synojnë t’u ofrojnë qytetarëve siguri juridike mbi pronën e tyre.
Qytetarët që përfitojnë nga ky vendim janë ata të cilët:
- Janë pronarë të ndërtesave të privatizuara nga ish-ndërmarrjet shtetërore apo ish-kooperativat bujqësore.
- Janë pronarë të ndërtesave të pajisura me leje ndërtimi nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
- Kaqinë mungesë dokumentacioni, mospërputhje sipërfaqesh apo kanë kryer ndërtime të tjera të lidhura me objektin.
- Përdorin truall shtetëror që më parë ka qenë në administrim të institucioneve qendrore ose vendore, ose kanë kryer ndërtim pa leje.
Të gjithë qytetarët që plotësojnë kriteret e përcaktuara mund të përfitojnë kalimin në pronësi të truallit mbi të cilin është ndërtuar objekti. Kalimi i truallit në pronësi për të gjitha banesat nëpërmjet kësaj procedure ofrohet pa pagesë.
Aplikimi për përfitimin e këtij shërbimi do të kryhet online, përmes portalit e-Albania.
Pjesë të Vendimit të plotë Nr. 4, datë 15.1.2026:
- PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË HOLLËSISHME PËR KALIMIN E PRONËSISË SË TRUALLIT SHTETËROR NË PËRDORIM DHE MIRATIMIN E MODELIT TË AKTIT TË KALIMIT NË PRONËSI: Ky seksion përcakton dispozitat e përgjithshme, duke sqaruar termat dhe duke dhënë përkufizime për “Harta e vlerës së tokës”, “Ligj”, “Ndërtesa të privatizuara”, “Ndërtesë e dëmtuar”, “Ndërtesa të ngritura me leje ndërtimi”, dhe “Truall shtetëror në përdorim”.
- PROCEDURAT E KALIMIT TË PRONËSISË PËR TROJET E NDËRTESAVE TË PRIVATIZUARA: Detajon dokumentacionin e kërkuar dhe hapat që ndjek ASHK për verifikimin e pronësisë mbi ndërtesën, posedimin e truallit, pronësinë shtetërore të truallit, si dhe pagesën e detyrimeve për taksën e truallit në përdorim. Përcakton mënyrën e përcaktimit të sipërfaqes së truallit që kalon në pronësi dhe kushtet për kalimin pa pagesë të pronësisë për banesat, si dhe pagesën për ndërtesat me funksion social-ekonomik.
- KALIMI I PRONËSISË PËR TROJET E NËNDËRTIMUARA TË NDËRTESAVE TË NGRITURA NË BAZË TË LEJEVE TË NDËRTIMIT TË LËSHUARA NGA ORGANET E VETËQEVERISJES VENDORE, PAS DATËS 10.8.1991 E NË VAZHDIM, KUR MUNGON DOKUMENTACIONI I DHËNIES SË TOKËS PËR NDËRTIM: Përcakton dokumentacionin e nevojshëm dhe procedurat që kryen ASHK për ndërtesat me leje ndërtimi, duke përfshirë verifikimin e lejes, dokumentacionin administrativ për dhënien e truallit, posedimin, pronësinë shtetërore, si dhe pagesën e detyrimeve.
- KALIMI I PRONËSISË SË TRUALLIT SHTETËROR NË PËRDORIM KUR PRONARII NDËRTESËS SË PRIVATIZUAR/ME LEJE NDËRTIMI KA KRYER EDHE NDËRTIM PA LEJE OSE KUR TRUALLI SHTETËROR ËSHTË TRANSFERUAR TEK INSTITUCIONET QENDRORE DHE NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE: Trajton rastet kur ka ndërtime pa leje apo kur trualli shtetëror është transferuar te institucionet, duke përcaktuar procedurat përkatëse.
- TRAJTIMI I RASTEVE PËRJASHTIMORE, SI PASOJË E ZBATIMIT TË VENDIMIT NR. 413, DATË 25.6.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE: Adreson situatat e veçanta ku mungon dokumentacioni ose ka probleme me aktet e origjinës së fitimit të pronësisë.
- DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT: Përcakton se kërkesat e paraqitura para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por ende të papërfunduara, do t’i nënshtrohen dispozitave të reja. Gjithashtu, shfuqizon Vendimin nr. 413, datë 25.6.2014, me përjashtim të rregullave për personat juridikë.
