Kanceri i gjirit në Lezhë: Sfida të trajtimit dhe udhëtime të gjata

Gratë e prekura nga kanceri i gjirit përballen me një betejë të dyfishtë

Vjeshta e vitit 2024 solli një kthesë të vështirë në jetën e Vera Loshit, një 56-vjeçare nga Ishull Lezha. Pas disa vizitave mjekësore për shkak të shqetësimeve fizike, diagnoza ishte e qartë: kancer gjiri. Ky ishte vetëm fillimi i një beteje të dyfishtë për Loshin; ajo me sëmundjen dhe me një sistem shëndetësor që e detyron të udhëtojë rreth 120 kilometra për të marrë trajtimin jetik.

“Trajtimi i sëmundjes ka qenë sfidues dhe me kosto të lartë,” tregon ajo për BIRN. “Më është dashur të udhëtoj në Tiranë për të zhvilluar seancat e terapisë, pasi ky shërbim nuk ofrohet në Spitalin e Lezhës.” Gruaja, nënë e dy fëmijëve, e konsideron veten me fat që u diagnostikua në fazë të hershme. Megjithatë, pas një viti trajtimesh në Tiranë, Loshi shpreson që spitali rajonal i Lezhës të jetë në gjendje ta ofrojë këtë shërbim sa më shpejt.

“Fillimisht, godina e spitalit ishte në rikonstruksion, por edhe tani që kanë përfunduar punimet, kimioterapia nuk kryhet sepse thuhet se mungon një aparaturë. Shumë gra si unë vuajnë për shkak të kësaj situate, pasi është një makth i vërtetë të udhëtosh drejt Tiranës për të marrë këtë shërbim,” thekson ajo.

Mungesa e trajtimit me kimioterapi në spitalet rajonale është pjesë e një problemi sistemik të shëndetësisë shqiptare, duke reflektuar një centralizim ekstrem të shërbimeve të specializuara në Tiranë. Siç ka nxjerrë në dritë BIRN në një sërë investigimesh, pacientë nga i gjithë vendi detyrohen të ndërmarrin udhëtime të kushtueshme dhe rraskapitëse drejt kryeqytetit për trajtime jetike, ndërkohë që spitalet rajonale vuajnë nga mungesa e investimeve në aparatura dhe në personel të specializuar.

Sipas drejtorit të Spitalit Rajonal të Lezhës, Leon Kaza, njësia e kimioterapisë u hap para dy vitesh, por më pas u mbyll sërish. “Për shkak të rikonstruksionit që ka qenë në proces prej kohësh, shërbimi nuk është ofruar plotësisht. Aktualisht po përfundojmë sistemimin në të gjitha pavionet dhe, sigurisht, kimioterapia do të rikthehet në funksion,” premtoi Kaza, duke shtuar se ishin në pritje të aparaturave të reja për “zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve të kimioterapisë.”

Në qarkun e Lezhës, numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit është në rritje. Sipas mjekes onkologe, Bardha Gjoni, vetëm gjatë këtij viti janë diagnostikuar rreth 30 raste të reja përmes analizave dhe biopsive. “Nga përvoja ime 25-vjeçare, shohim një rritje të rasteve çdo vit. Krahasuar me 15 vite më parë, ka një dyfishim të grave të prekura,” tha Gjoni për BIRN. Ajo shton se problematik mbetet fakti që shumica e rasteve diagnostikohen në faza të avancuara. “Duhet një sensibilizim më i madh i grave dhe vajzave që të kryejnë kontrolle të paktën një herë në vit, në mënyrë që sëmundja të kapet në kohë dhe të shërohet,” apelon ajo.

Sipas Afërdita Gjonit, aktiviste për të drejtat e grave në qarkun e Lezhës, pavarësisht rritjes së ndjeshme të ndërgjegjësimit gjatë viteve të fundit, veçanërisht në muajin tetor, nevojitet ende shumë punë. Gjoni shpjegon se përhapja e kancerit të gjirit mes grave në qarkun e Lezhës është pak më e lartë se mesatarja kombëtare, ndërsa apelon që shërbimi parësor të luajë një rol kyç në nxitjen e grave për kryerjen e kontrolleve periodike. Ajo thekson gjithashtu se duhet përmirësuar trajtimi i tyre.

“Gratë që përballen me këtë sëmundje hasin shpesh vështirësi për t’u trajtuar, për shkak të pamundësive financiare. Duhet të ketë më shumë vëmendje për t’u ofruar këtyre pacientëve shërbime sa më afër vendbanimit të tyre dhe pa kosto financiare,” tha Gjoni.

Njëra prej pacienteve, e sapodiagnostikuar me kancer gjiri, i tha BIRN në kushtet e anonimatit se detyrohet të udhëtojë deri në katër herë në javë në Tiranë për të marrë trajtimin. “Përveç lodhjes dhe stresit që më është krijuar, udhëtimi ka edhe një kosto që për mua është e papërballueshme. Jam detyruar të marr borxh për t’u përballur me sëmundjen, pasi nuk kam mundësi financiare,” tha gruaja, duke shtuar: “Është absurde që ky shërbim të mos ofrohet në Lezhë.”

Scroll to Top