KAYO-Fincantieri, marrëveshje për ndërtimin e anijeve në Pashaliman, synohet eksporti
Shoqëria shtetërore “Kayo” sh.a, e cila operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, duke ofruar produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe tregjet ndërkombëtare, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë italiane “Fincantieri”, aktualisht ndërtuesi më i madh i anijeve tregtare dhe ushtarake në Evropë. Ky partneritet hap rrugë prodhimit në Shqipëri të mjeteve lundruese detare, jo vetëm për nevojat e vendit, por edhe për eksport në tregjet ndërkombëtare.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nako, Presidentin e “Fincantieri”-t, Pierroberto Folgiero, si dhe përfaqësues të lartë të industrisë.
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij, theksoi se dy anijet e para që do të ndërtohen do të jenë për ushtrinë shqiptare. Më pas, prodhimi i anijeve ushtarake të prodhuara në vend do të jetë për eksport.
“Kjo marrëveshje përcakton një vullnet dhe vizion për të shoqëruar ndryshimin me një risi, por që do të shërbejë për sjelljen e inovacionit. Është një lajm i mirë edhe për të rinjtë e shkollës industriale të Vlorës, të cilët do të ftohen në këtë rrugëtim të ri, duke qenë pjesëmarrës të kësaj shoqërie të re, për t’u formuar profesionalisht. Nga ana tjetër, i hap rrugë një diskutimi të ri ekonomik, sepse do të jemi të parët që do të përfitojmë nga produktet e saj. Dy anijet e para që do të ndërtohen do të jenë për ushtrinë shqiptare, duke çuar në shtatë numrin e anijeve të flotës shqiptare. Ky është një numër i konsiderueshëm për pozicionin e vendit në Mesdhe dhe si anëtar i NATO-s. Më pas do të vijojë prodhimi edhe për anije të tjera, me qëllim për t’i eksportuar këto anije, që do të ndërtohen me teknologji inovative. Për ekonominë e vendit dhe forcat e armatosura, kjo marrëveshje është një ëndërr”, tha Kryeministri Edi Rama.
Ministri i Mbrojtjes, Nako, theksoi se ky bashkëpunim sjell vlera të shumta strategjike për vendin.
“Nga ky bashkëpunim ka disa vlera strategjike që arrihen. Shqipëria bëhet një bazë e re europiane e ‘Fincantieri’-t për anijet e vogla dhe të mesme. Fincantieri zgjeron kapacitetin prodhues në Shqipëri dhe ‘Kayo’ pozicionohet si një partner i besueshëm industrial me një arkitekturë ndërkombëtare. Modeli i biznesit është që mbi 90% e klientëve janë ndërkombëtarë, klientë ekzistues të ‘Fincantieri’-t,” u shpreh Ministri Nako.
Projekti parashikon krijimin e një kantieri të ri në Pashaliman, ku pritet të punësohen rreth 400 persona. Ky investim konsiderohet një gur themeli për zhvillimin industrial të vendit, duke nxitur njëkohësisht punësimin e të rinjve dhe rritjen e kapaciteteve vendase në teknologji të avancuar.
“Rreth 400 persona do të punësohen në këtë kantier të ri, i cili është një gur themeli, jo vetëm për prodhimin industrial, por edhe për punësimin e të rinjve dhe të rejave për një teknologji të fjalës së fundit që do të zhvillohet në Vlorë dhe që do të përfshijë jo vetëm prodhimin e mjeteve lundruese, por patjetër edhe rritjen e kapaciteteve vendase si industriale dhe prodhuese, por dhe njerëzore, që është një element i shtuar dhe shumë i rëndësishëm,” tha ndër të tjera Ministri i Mbrojtjes Nako.
