Aksident tragjik në Romë: Shqiptari shkakton vdekjen e një këmbësori

I riu shqiptar përplasi dy këmbësorë me makinë; njëri ndërroi jetë

Një ngjarje e rëndë rrugore në Romë ka rezultuar me humbjen e jetës së një këmbësori. Autoritetet italiane kanë arrestuar një 19-vjeçar me origjinë shqiptaro-boshnjake për këtë aksident.

Aksidenti ka ndodhur më 22 prill, rreth orës 07:30 të mëngjesit, në zonën e Casalotti-t, në Via di Boccea. Një automjet tip “Smart”, i drejtuar nga i riu, ka përplasur dy këmbësorë që po ecnin në rrugë.

Njëri nga këmbësorët e plagosur, Nicola Acquaviva, 54 vjeç, pas një jave në gjendje kritike në Spitalin San Camillo, ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra.

Edhe këmbësori tjetër është transportuar me urgjencë në Poliklinikën Gemelli, në gjendje të rëndë. Shoferi është dërguar për ekzaminime në Spitalin San Filippo Neri, ku testet për alkool dhe substanca toksike kanë rezultuar negative.

Sipas hetimeve paraprake, i riu, i lindur në Itali në një familje me origjinë boshnjake-shqiptare, ka humbur kontrollin e mjetit për arsye ende të paqarta. Ai është aktualisht nën hetim për aksident rrugor me pasojë vdekjen.

Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Pritet që në ditët në vijim gjykata të vendosë masën e sigurisë për të riun.

Scroll to Top