Ndalimi i pyetjeve për krerët e drejtësisë/ Këlliçi: Kjo është tallje me Kushtetutën
Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, deklaroi sot se mazhoranca po tenton t’u heqë deputetëve të drejtën për të bërë pyetje drejtuesve të institucioneve të drejtësisë. Gjatë seancës plenare të Kuvendit, Këlliçi e cilësoi këtë situatë si një shpërfillje ndaj rregullores, Kushtetutës dhe të drejtës së fjalës së deputetëve.
Sipas Këlliçit, prej gjashtë javësh që nga fillimi i sesionit parlamentar, mbi 95% e deputetëve të Partisë Demokratike nuk kanë pasur mundësi të flasin nga foltorja, pasi seancat mbyllen me shpejtësi për t’u kaluar në votim.
Ai bëri thirrje për zhvillimin normal të seancës, duke respektuar të drejtën kushtetuese të deputetëve për të folur dhe përfaqësuar interesat e qytetarëve që i kanë zgjedhur.
“Kjo është një tallje që bëhet me rregulloren e Kuvendit, e mbi të gjitha me Kushtetutën dhe me të drejtën e fjalës që kanë deputetët. Por kjo është tallje që bëhet dhe me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë që vijnë këtu, sepse ata as nuk janë zëdhënës, as nuk janë sekretarët e deputetëve që t’u bëjnë pyetje dhe t’i lexojnë pyetjet e deputetëve. Nëse do të jetë kështu, ua japim edhe fjalën atyre dhe marrin edhe ato 38 minutat kohë që kemi ne si opozitë, të na lexojnë dhe përgjigjet tona, edhe fjalimet tona,” tha Këlliçi.
Ai shtoi se praktika parlamentare, siç pretendohet, është e konsoliduar qartë të paktën dy vitet e fundit. Duke iu referuar procesverbaleve të viteve 2023 dhe 2024, Këlliçi theksoi se deputetët kanë pasur mundësi t’u drejtojnë pyetje drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.
Këlliçi përmendi nenin 103, pika 7 të rregullores së Kuvendit, duke theksuar se ky nen nuk specifikon në asnjë mënyrë se deputeti nuk ka të drejtë të bëjë pyetje. Sipas tij, për të adresuar një pyetje nevojitet parashtrimi dhe logjika.
“Ndërkohë, ju përmendët me të drejtë, madje i keni këtu në llozhë, keni dy drejtuesit, Prokurorin e Përgjithshëm dhe drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme. Të dy bashkë, të kombinuar në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin për Nisma Qytetare, kanë qëndruar mbi 10 orë me deputetët e opozitës dhe të mazhorancës. Nuk kanë pasur ndonjë problem. Janë adresuar të gjitha pyetjet nga deputetët e opozitës, kanë dhënë përgjigjet e tyre kur kanë dashur, kur s’ kanë dashur kanë dhënë sqarimet e tyre dhe gjithçka ka shkuar në rregull. Nuk kuptoj arsyen se përse ju doni t’u hiqni të drejtën deputetëve të këtij parlamenti t’u adresojnë pyetjet më shqetësuese që kanë sot qytetarët shqiptarë, këtyre drejtuesve, pesë drejtuesve të institucioneve më të larta të drejtësisë në vend. Në një moment kur na janë vrarë gjyqtarë nëpër salla, në një moment kur drejtësia në këtë vend është kthyer në padrejtësi, në një nocion të pranueshëm për çdo qytetar, po të dalësh dhe të bësh një anketim të thjeshtë,” tha ai.
Këlliçi përfundoi duke insistuar për zhvillimin normal të seancës, pasi deputetët e opozitës vijnë të përgatitur dhe përfaqësojnë interesin e qytetarëve që i kanë zgjedhur, duke shtuar se drejtësia nuk duhet të jetë levë në dorë të pushtetit për të goditur kundërshtarin politik.
