Kërcënim Trump për Venezuelë: Operacionet tokësore nisin shpejt

Trump kërcënon: Operacionet tokësore në Venezuelë po fillojnë shumë shpejt

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka shpërthyer ndaj Shteteve të Bashkuara, duke i quajtur “piratët e Karaibeve”, pas operacionit të sekuestrimit të një anije-cisternë të madhe me naftë. Ai e cilësoi veprimin e ushtrisë amerikane si “të paligjshëm”, duke akuzuar për rrëmbim, sulm ushtarak dhe grabitje, siç raporton A2.

“Ata rrëmbyen ekuipazhin, vodhën anijen. Amerikanët kanë sjellë një epokë të re, epokën e piraterisë kriminale detare në Karaibe. Venezuela e hedh poshtë në tërësi këtë akt piraterie kriminale kundër të gjithë Karaibeve. Unë tashmë kam dhënë udhëzime të mjaftueshme për të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe diplomatike. Venezuela do të sigurojë të gjitha anijet për të garantuar tregtinë e lirë të naftës së saj në botë,” tha Maduro.

Maduro shtoi se presioni në rritje nga SHBA-të ka një qëllim të vetëm: Uashingtoni dëshiron të rrëmbejë rezervat e mëdha të naftës të Venezuelës. Ai zbuloi gjithashtu një bisedë në rusisht me homologun e tij rus, Vladimir Putin, i cili, sipas tij, i ka shprehur mbështetje të palëkundur qeverisë së tij dhe përpjekjeve të Venezuelës për të mbrojtur sovranitetin dhe paqen rajonale.

Ekspertët e kanë interpretuar këtë si një përpjekje të Maduros për të përgatitur terrenin për një arratisje të mundshme, në rast se ushtria amerikane ndërmerr veprime në Venezuelë. Dhe në fakt, duket se kjo nuk është larg, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se operacionet tokësore për të frenuar trafikun e drogës do të fillojnë shumë shpejt.

“Na kanë trajtuar keq. Por ne tani nuk po i trajtojmë aq mirë. Nëse shikoni trafikun e drogës nga deti, ai ka rënë me 92% dhe askush nuk mund ta kuptojë se si ndodh ai 8%, sepse nuk kam asnjë ide. Kushdo që përfshihet në këtë tani nuk po ia del mbanë. Dhe do ta zgjidhim këtë problem edhe përmes tokës. Operacionet tokësore do të fillojnë shumë shpejt,” deklaroi Trump.

Këto komente erdhën ndërsa Uashingtoni ka rritur presionin mbi Karakasin me sanksione të reja ndaj kompanive të transportit detar, anijeve cisternë të naftës dhe të afërmve të gruas së Maduros, për lidhje të dyshuara me eksportet e naftës të sanksionuara të Venezuelës dhe korrupsionin. Kjo është pjesë e një fushate më të gjerë amerikane për të dobësuar regjimin.

Scroll to Top