Rrjeti për Gazetarë të Sigurt dënon kërcënimet ndaj gazetarit Osman Stafa
Gazetari Osman Stafa ka marrë një mesazh kërcënues përmes një profili anonim në rrjetet sociale, veprim që u dënua nga Rrjeti për Gazetarë të Sigurtë në Ballkanin Perëndimor.
Gazetari i News 24, Osman Stafa, është kërcënuar nëpërmjet një mesazhi anonim në rrjetin social Instagram. Ky akt shihet qartësisht si i lidhur me denoncimet e tij lidhur me situatën në Spitalin Onkologjik.
Rrjeti për Gazetarë të Sigurtë në Ballkanin Perëndimor (SafeJournalists) reagoi lidhur me këtë episod, duke dënuar aktin dhe duke bërë thirrje për hetime nga institucionet ligjvënëse.
“Rrjeti SafeJournalists dënon mesazhin kërcënues të dërguar ndaj gazetarit shqiptar Osman Stafa më 11 dhjetor 2025, pas raportimeve të tij mbi kushtet dhe mangësitë e shërbimeve në Spitalin Onkologjik të Tiranës,” thuhet në reagimin e SafeJournalists.
Prej vitesh, Stafa jo vetëm raporton mbi aktualitetin në Shqipëri, por denoncon mungesën e ilaçeve dhe trajtimeve për pacientët me kancer në Spitalin Onkologjik në Tiranë.
Mesazhi anonim në Instagram, i shkruar me gjuhë vulgare dhe agresive, e paralajmëronte hapur Stafën që të mos kthehej më në Spitalin Onkologjik, me qëllim të qartë për ta frikësuar dhe penguar në ushtrimin e profesionit të tij gazetaresk.
SafeJournalists u bën thirrje autoriteteve shqiptare, veçanërisht Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, të sigurojnë që ky rast të trajtohet me prioritet dhe autorët të identifikohen dhe të ndiqen penalisht.
