Kërkesë SPAK: Lejoni Veliajn të marrë pjesë në mbledhje

Këshilltarët e PS, kërkesë SPAK: Lejoni Veliajn të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Një shkresë zyrtare, drejtuar institucioneve përgjegjëse, kërkon mundësimin e pjesëmarrjes fizike të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, e planifikuar për të premten, më 21 nëntor 2025, në orën 10:00.

Kërkesa, e adresuar Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, argumenton se pjesëmarrja e kryebashkiakut është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, bazuar në Ligjin nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”.

Dokumenti thekson nenet përkatëse:

  • “Neni 58, pika 4 i jep Kryetarit të Bashkisë të drejtën të marrë pjesë dhe të raportojë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.”
  • “Neni 60 përcakton bashkëpunimin e detyrueshëm midis Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak për çështjet e interesit publik.”

Duke iu referuar këtyre detyrimeve ligjore, Këshilli Bashkiak i Tiranës kërkon:

  • “lejim të përkohshëm të pranisë fizike të Erion Veliajt në mbledhje,”
  • “ose, nëse kjo nuk është e mundur, mundësimin e pjesëmarrjes përmes një forme të komunikimit në distancë, si online apo videokonferencë.”

Në shkresë nënvizohet se “pjesëmarrja e kryebashkiakut është e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit lokal”.

Këshilli Bashkiak deklaron “gatishmëri të plotë për bashkëpunim lidhur me çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike nga institucionet përkatëse, me qëllim zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor dhe transparent.” Institucionet janë ftuar të japin me shkrim vendimmarrjen e tyre, duke marrë parasysh funksionet institucionale dhe të drejtën e kryetarit të Bashkisë për t’u paraqitur para Këshillit Bashkiak.

Vlen të theksohet se kërkesën për të lejuar Veliajn të marrë pjesë në mbledhje e kanë bërë këshilltarë të PS, të cilët kohë më parë kishin iniciuar procedurën për shkarkimin e tij. Kjo lëvizje vjen pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku u tha se duhet t’i krijohen mundësitë Veliajt të drejtojë Tiranën.

Scroll to Top