Akti ekstrem i ushtarëve të Phenianit në Ukrainë, Kim Jong Un: Ata që hodhën veten në erë për t’i shpëtuar kapjes janë heronj
Kim Jong Un ka vlerësuar ushtarët e Koresë së Veriut që kryen vetëvrasje duke shpërthyer granata ndërsa luftonin në anën e Rusisë në Ukrainë. Ky veprim konfirmon supozimet se kjo është një praktikë e zakonshme në front.
“Ata janë heronj sepse zgjodhën pa hezitim të hidhnin veten në erë për të mbrojtur një nder të madh”, tha udhëheqësi i Koresë së Veriut në një fjalim këtë javë.
Sipas Koresë së Jugut, të paktën 15,000 trupa të Koresë së Veriut janë dërguar për të ndihmuar Rusinë të mbrojë pjesë të rajonit kufitar Kursk të Rusisë dhe më shumë se 6,000 prej tyre kanë vdekur deri më tani. Megjithatë, as Pheniani, as Moska nuk i kanë konfirmuar këto shifra.
Agjencitë e inteligjencës dhe dezertorët pretendojnë se Pheniani ka urdhëruar ushtarët të kryejnë vetëvrasje nëse përballen me kapjen.
“Për vetëmohimin e tyre, ata nuk prisnin kompensim, as shpërblim për përkushtimin e tyre… Ky është një tregues se sa e madhe është besnikëria e ushtrisë sonë”, theksoi Kim në Phenian gjatë zbulimit të një monumenti për ushtarët e rënë, sipas mediave shtetërore KCNA. Në këtë aktivitet morën pjesë Ministri rus i Mbrojtjes Andrey Belusov dhe Kryetari i Dumës (Parlamenti rus) Vyacheslav Volodin.
Në Korenë e Veriut, kapja peng konsiderohet akt tradhtie.
Transmetuesi i Koresë së Veriut MBC shfaqi në fillim të këtij viti dy të burgosur lufte nga Koreja e Veriut në Ukrainë, njëri prej të cilëve shprehu pendesë që nuk i mori jetën vetes: “Të gjithë të tjerët e hodhën veten në erë. Unë nuk ia dola”, tha ai.
Agjencia shtetërore e inteligjencës e Koresë së Jugut njoftoi vitin e kaluar se kishte gjetur dokumente në posedim të ushtarëve të vdekur të Koresë së Veriut, të cilat tregonin për këto veprime ekstreme.
Kim gjithashtu vlerësoi ata që vdiqën në luftime: “Ata që ranë në vijën e parë të sulmit dhe ata që u përpëlitën nga frustrimi për dështimin në përmbushjen e detyrës së tyre ushtarake, jo nga dhimbja e trupave të tyre të shqyer nga plumbat dhe predhat, edhe ata mund të quhen luftëtarë besnikë të partisë dhe patriotë”, tha Kim.
