Sanksionet amerikane ndaj kompanive të Moskës, Kina pezullon importin e naftës ruse
Kompanitë më të mëdha shtetërore të energjisë në Kinë, PetroChina, Sinopec, CNOOC dhe Zhenhua Oil, kanë pezulluar blerjet e naftës ruse të transportuar me det. Ky vendim vjen pas sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj Rosneft dhe Lukoil, dy prodhuesve kryesorë të naftës në Rusi, sipas raportimit të Reuters, që citon burime të afërta me situatën.
Ky zhvillim përkon me planet e rafinerive indiane, të cilat janë blerësit më të mëdhenj të naftës ruse të transportuar me det, për të reduktuar ndjeshëm importet e tyre. Këto veprime synojnë respektimin e sanksioneve të reja amerikane, vendosur si reagim ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe refuzimit të Kremlinit për t’i dhënë fund luftimeve.
Ekspertët vlerësojnë se rënia e kërkesës nga Kina dhe India, dy klientë kryesorë të Moskës, do të ketë një ndikim të konsiderueshëm mbi të ardhurat e Rusisë nga eksportet e energjisë. Ky situim pritet të ushtrojë presion mbi tregjet ndërkombëtare, duke detyruar importuesit të kërkojnë furnizues alternativë, çka mund të çojë në rritjen e çmimeve globale të naftës.
Sipas të dhënave, Kina importon rreth 1.4 milion fuçi në ditë naftë ruse të transportuar me det. Megjithatë, për nëntë muajt e parë të vitit 2025, Vortexa Analytics vlerëson se blerjet nga kompanitë shtetërore kineze kanë rënë në më pak se 250,000 fuçi në ditë, ndërsa Energy Aspects i përllogarit ato në rreth 500,000 fuçi në ditë.
Burime nga tregu konfirmojnë se Unipec, dega tregtare e Sinopec, ka ndalur blerjen e naftës ruse që prej javës së kaluar. Nga ana tjetër, Rosneft dhe Lukoil vazhdojnë ta shesin pjesën më të madhe të prodhimit të tyre përmes ndërmjetësve, duke shmangur negociatat direkte me kompanitë kineze.
Ndërkohë, rafineritë e pavarura kineze pritet të pezullojnë përkohësisht blerjet për të vlerësuar ndikimin e sanksioneve. Megjithatë, sipas disa burimeve të tregut, ato do të vazhdojnë blerjet në një nivel të kufizuar.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Kina vijon të importojë rreth 900,000 fuçi në ditë naftë ruse përmes tubacionit. Ky furnizim i dedikohet kryesisht PetroChina – një kompani që, sipas tregtarëve, pritet të ndikohet vetëm minimalisht nga sanksionet amerikane.
