KLGJ zvarrit emërimin e magjistratëve, rritet stoku i çështjeve
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) po vonon emërimin e 42 magjistratëve të rinj të diplomuar prej gati tre muajsh, pavarësisht mungesës së gjyqtarëve në sistem dhe rritjes së vazhdueshme të stokut të çështjeve të prapambetura.
Edhe pse emërimet u bënë më 31 korrik, KLGJ ende nuk ka bërë shpërndarjen e tyre nëpër gjykata, ndërkohë që aktualisht ka 99 vende vakante në sistemin gjyqësor.
Magjistratët e sapodiplomuar shprehin shqetësim, duke pretenduar se KLGJ po vepron në kundërshtim me ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Ligji parashikon një afat një mujor për Këshillin për të emëruar personat e diplomuar dhe që plotësojnë kriteret, si dhe shpalljen e vendeve të lira brenda muajit qershor dhe caktimin brenda muajit korrik.
KLGJ deklaron se emërimi i magjistratëve është bërë brenda afatit ligjor, por caktimi në gjykata varet nga procedurat e transferimit paralel dhe ngritjes në detyrë të gjyqtarëve aktualë. Sipas KLGJ, procesi nuk konsiderohet i përfunduar derisa këto procedura të mbyllen.
Grupimet vullnetare të gjyqtarëve mbështesin versionin e KLGJ-së, duke theksuar se vonesa vjen si pasojë e burokracisë procedurale dhe se caktimi i magjistratëve të rinj bëhet pas plotësimit të vendeve vakante të krijuara nga lëvizjet paralele dhe ngritjet në detyrë të gjyqtarëve ekzistues.
Procesi i vetingut ka lënë më shumë se gjysmën e magjistratëve jashtë sistemit, duke krijuar vakanca të shumta që vijojnë të mbeten të paplotësuara. Aktualisht, nga 417 gjyqtarë të parashikuar, janë emëruar 308, nga të cilët 265 janë në detyrë.
Situata më e rënduar është në Gjykatën e Apelit, ku nga 78 gjyqtarë të parashikuar, janë aktualisht në detyrë vetëm 31. Plotësimi i 45 vakancave në këtë gjykatë do të mundësonte krijimin e vendeve të lira për caktimin e magjistratëve të rinj.
Të dhënat statistikore tregojnë gjithashtu një rritje të numrit të çështjeve të mbetura stok, nga 137,101 në 1 janar 2024 në 141,262 më 30 shtator 2025, me Gjykatën e Apelit që përballet me mbi 45 mijë çështje të pashqyrtuara.