Klinsman: Ancelotti, sekreti i Brazilit për Botërorin 2026

Klinsman, kampion bote me Gjermaninë, lavdëron trajnerin italian: Carlo Ancelotti, “mjeti sekret” i Brazilit

Jurgen Klinsman, kampion bote me Gjermaninë në vitin 1990, është shprehur se kombëtarja braziliane konsiderohet favorite për të fituar Kupën e Botës 2026, duke vlerësuar lart profilin e Carlo Ancelottit si trajneri ideal për “seleçao”.

Ish-sulmuesi i përfaqësueses gjermane, duke folur për ESPN, theksoi se Brazili ka treguar kurajë duke sjellë një trajner të huaj për të drejtuar ekipin. Sipas Klinsman, italiani ka aftësinë për të nxjerrë lojtarët brazilianë nga “zona e tyre e rehatisë”.

“Për mua, Brazili është favorit, skuadra numër një në këtë Kupë Bote. Mendoj se Carlo Ancelotti i ka nxjerrë ata nga zona e tyre e rehatisë. Është hera e parë që Brazili punëson një trajner të huaj, diçka për të cilën kombëtarë të tjerë të mëdhenj, si Italia, nuk kanë pasur kurajë. Besoj se nëse dikush mund të menaxhojë çështjet e futbollit brazilian, ky është Carlo Ancelotti. Ai ka cilësinë dhe personalitetin për të sjellë gëzim, energji dhe mbi të gjitha, besim, pasi ai ka dëshmuar gjithçka dhe ka fituar gjithçka si trajner,” tha Klinsman.

Ish-kampioni i botës me Gjermaninë vlerësoi gjithashtu mbrojtjen braziliane dhe përmendi Neymar, i cili mund të luajë një rol të rëndësishëm duke hyrë gjatë ndeshjeve.

“Mendoj se, ndoshta, në ndeshjen e dytë, të tretë apo të katërt, duke sjellë Neymar nga stoli, i gjithë stadiumi do të tronditet. Do të jetë mbresëlënëse. Sa i përket mbrojtjes, më duken të fortë. Kanë shumë përvojë në atë repart dhe janë shumë të etur për fitore. Ata duhet të luajnë tetë ndeshje për të fituar këtë Kupë Bote,” përfundoi ai.

Scroll to Top