Presidenti i Kolumbisë paralajmëron Trump-in: Mos kërcënoni sovranitetin tonë
Presidenti socialdemokrat kolumbian Gustavo Petro i bëri thirrje të martën Shteteve të Bashkuara të respektojnë sovranitetin kombëtar të vendit të tij. Ky veprim erdhi pasi Donald Trump kërcënoi të urdhëronte sulme kundër vendeve ku prodhohet kokaina, ku Kolumbia kryeson në nivel global.
“Mos e kërcënoni sovranitetin tonë kombëtar, sepse do ta zgjonië “jaguarin”. Sulmi ndaj sovranitetit tonë kombëtar është i barabartë me shpalljen e luftës. Mos dëmtoni dy shekuj marrëdhënie diplomatike”, paralajmëroi Presidenti Petro përmes platformës X.
Më herët, ish-Presidenti Trump kishte paralajmëruar se çdo vend që prodhon kokainë të shitur në SHBA rrezikon të sulmohet. Ushtria amerikane ka kryer një seri sulmesh në Karaibe dhe Paqësor që nga fillimi i shtatorit kundër anijeve që Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni pretendojnë se transportonin drogë, duke synuar veçanërisht Venezuelën. Më shumë se 80 persona janë vrarë në këto sulme.
Presidenti Petro ka denoncuar këto sulme, duke i cilësuar si vrasje jashtëgjyqësore.
Trump, me sarkazëm, u shpreh ditën e djeshme: “Kolumbia prodhon kokainë, ka laboratorë prodhimi kokaine dhe na shet kokainë, të cilën e vlerësojmë shumë. Kushdo që e bën këtë dhe shet në vendin tonë mund të sulmohet (…) Jo vetëm Venezuela.”
“Nëse ka ndonjë vend që ka ndaluar konsumimin e mijëra ton kokainë nga amerikanët e veriut, ai është Kolumbia,” kundërshtoi Petro.
