Kompensim 1.85M€ për Fermerët: Aplikoni Online

Kompensimi i fermerëve arrin në 1.85 milionë euro

Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar se procesi i aplikimit të fermerëve për përfitimin e kompensimit 10% përmes autofaturës vijon normalisht.

Deri më 14 korrik 2026, janë dorëzuar 686 aplikime online, nga të cilat 665 janë në proces shqyrtimi ose janë miratuar. Shuma totale e kompensimit të kërkuar ka arritur në rreth 1.85 milionë euro. Aplikimet kanë filluar më 1 korrik.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, numri total i fermerëve të pajisur me NIPT është 113,470.

Pas aplikimit, masa e kompensimit të TVSH-së për fermerët do të llogaritet drejtpërdrejt nëpërmjet vlerës së autofaturave që përpunuesi ose grumbulluesi i produkteve bujqësore ka lëshuar për fermerin, si blerës.

Procedurat për aplikim sipas udhëzuesit:

  • Aplikimet do të kryhen në platformën e-Filing.
  • Fermeri duhet të jetë i pajisur me NIPT dhe të verifikojë autofaturat që do t’i shfaqen në sistem.
  • Fermerët e pajisur me NIPT duhet të identifikohen në e-Filing te menuja “Çështje e re”, duke zgjedhur kërkesën “Për rimbursim të fermerëve”.
  • Pas hyrjes në e-Filing, fermerët duhet të plotësojnë te rubrika “Detajet e bankës” të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN.
  • Pas plotësimit të kërkesës, në sistem fermerit do t’i shfaqen autofaturat e periudhës janar-qershor, të cilat duhet të identifikohen nga fermeri.
  • Pas identifikimit të autofaturave, sistemi do të llogarisë automatikisht shumën totale të autofaturave dhe shumën e përfitimit të kompensimit 10%.
  • Sistemi kontrollon afatin, faturat dhe llogarinë para se ta pranojë kërkesën.

Sipas Tatimeve, kërkesa do të marrë statusin “Në proces”. Përgjigjen e kërkesës fermeri e gjen te menuja “Të dorëzuara”. Me kërkesë të Administratës Tatimore, mund të bashkëngjiten edhe dokumente shtesë sipas informacionit të kërkuar.

Për të përfituar kompensimin, fermeri duhet të jetë i pajisur me numër identifikimi (NIPT) nga Administrata Tatimore, pa pasur detyrim për deklarim periodik të TVSH-së. Qarkullimi vjetor nuk duhet të tejkalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH.

Fermerët që shesin produktet e tyre bujqësore/blegtoralë nuk bëhen automatikisht subjekt i TVSH-së (pra nuk regjistrohen për TVSH) nëse qarkullimi i tyre vjetor është deri në 10 milionë lekë. Nëse qarkullimi kalon 10 milionë lekë, fermeri duhet të regjistrohet si subjekt i TVSH-së (tatimpagues i zakonshëm).

Nëse fermeri rezulton të jetë i regjistruar me TVSH, aplikimi i tij do të bllokohet. Aplikimi do të bllokohet edhe në rastet kur fermeri nuk zgjedh faturat e shfaqura në sistem, nuk jep të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN, nëse rezulton me status pasiv në tatime ose aplikon pas përfundimit të afatit.

Scroll to Top