Kompensim DIVA: Tatimet publikojnë udhëzues për llogari bankare

Kompensimi nga DIVA: Tatimet publikojnë udhëzimin për deklarimin e llogarisë bankare

Individët që kanë plotësuar Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025) dhe rezultojnë me tatim të mbipaguar, kanë të drejtë të kërkojnë kompensim të shumës së tepërt.

Përfitues të këtij kompensimi janë:

  • Individët që rezultojnë me tatim të mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët (48 mijë lekë në vit për çdo fëmijë në ngarkim) dhe shpenzimeve për arsim (120 mijë lekë).
  • Individët që nuk kanë fëmijë, por rezultojnë me tepricë nga rillogaritja e tatimit.

Për të gjitha kategoritë, kompensimi do të bëhet në llogarinë bankare. Prandaj, është e domosdoshme të deklarohen të dhëna të sakta të llogarisë bankare. Për të gjitha rastet, duhet ngarkuar në format PDF elementi IBAN i llogarisë bankare, siç dëshmohet nga një dokument i lëshuar nga banka ku është regjistruar llogaria.

Me qëllim sigurimin e saktësisë së të dhënave dhe shmangien e vonesave në procesin e rimbursimit, Administrata Tatimore ka publikuar një udhëzues për deklarimin e të dhënave të sakta të llogarisë bankare. Sipas Tatimeve, plotësimi i saktë i llogarisë bankare është i nevojshëm për vijimin e procedurës së rimbursimit.

“Të gjithë individët që kanë plotësuar Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale dhe rezultojnë me tatim të mbipaguar, për të cilin kanë paraqitur kërkesë për rimbursim, duhet të deklarojnë saktë të dhënat e llogarisë së tyre bankare në sistemin e-Filing. Sigurohuni që të dhënat e vendosura janë të sakta, për të shmangur vonesa në procesin e rimbursimit”, njoftojnë Tatimet.

Për herë të parë këtë vit, kompensim do të përfitojnë edhe individët pa fëmijë, të cilët rezultojnë me tatim të mbipaguar si pasojë e ndryshimit të mënyrës së rillogaritjes së tatimit. Edhe për këta individë, procedura e aplikimit do të jetë e njëjtë. Ndryshimi i vetëm është se për ta nuk është i detyrueshëm ngarkimi i certifikatës familjare.

Ministri Petrit Malaj deklaroi se pas përfundimit të procesit të deklarimit më 31 Mars, janë plotësuar gjithsej 164,263 deklarata individuale të të ardhurave, çka përfaqëson një rritje prej 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas tij, rreth 77 mijë individë pritet të përfitojnë kompensim nga sistemi DIVA për fëmijët nën moshën 18 vjeç. Malaj shtoi se sistemi ka gjeneruar një fond total prej 1.4 miliardë lekësh për rimbursim për individët me tepricë kreditore. Deri tani, janë kërkuar vetëm 670 milionë lekë nga individët për t’u kaluar në llogaritë e tyre bankare.

Udhëzues për plotësimin e llogarisë bankare

Hapi i parë

1. Hapni shfletuesin dhe vizitoni faqen zyrtare e-Filing të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT).

2. Vendosni Numrin Personal të Identifikimit (NID) në fushën e parë.

3. Vendosni Fjalëkalimin (Password) në fushën e dytë.

4. Shënoni kutinë: “E lexova dhe bie dakord me termat dhe kushtet”.

5. Klikoni butonin “Hyr në sistem”.

Hapi i dytë

1. Pasi të keni hyrë, shikoni menunë kryesore horizontale me ngjyrë të gjelbër në krye të faqes.

2. Klikoni mbi butonin “eFiling Im” – i treti nga e majta.

3. Poshtë tij do të shfaqet një listë me opsione shtesë. Butoni “eFiling Im” ndodhet midis “Kontabilitet” dhe “Menaxhimi i Aksesit”. Kur klikohet, sfondi i tij ndryshon duke treguar se është aktiv.

Hapi i tretë

1. Pas klikimit të “eFiling Im”, shfaqet një listë me 4 opsione.

2. Klikoni mbi opsionin “Profili Im” – i fundit në listë.

3. Do të hapet faqja e profilit tuaj me të gjitha të dhënat. Lista përmban 4 opsione: Dokumentat e Mia, Njoftimet e Mia, Çështjet e Mia dhe Profili Im. Nevojitet opsioni i fundit.

Hapi i katërt

1. Faqja e profilit ka një menu në të majtë me disa opsione navigimi.

2. Klikoni mbi “Detajet e Bankës” – opsioni i katërt në listë.

3. Do të hapet seksioni ku mund të shihni ose shtoni llogarinë bankare. Menuja në të majtë përmban: Detajet e Tatimpaguesit, Informacion i Përgjithshëm, Adresa, Përfaqësia Tatimore, Detajet e Bankës, Kodi Ekonomik Rev 2.

Hapi i pestë

1. Faqja “Detajet e Bankës” shfaq tabelën e llogarive bankare (fillimisht boshe).

2. Klikoni butonin “Shto një llogari bankare” – në krye të faqes.

3. Do të hapet formulari për plotësimin e të dhënave bankare.

4. Mund të klikoni “Shkarko udhëzimin” për të shkarkuar udhëzuesin zyrtar të DPT-së në format PDF.

5. Para se të shtoni llogarinë, sigurohuni që keni përgatitur: numrin IBAN, emrin e bankës dhe vërtetimin bankar (PDF).

Hapi i gjashtë

1. Plotësoni formularin me detajet e bankës.

Scroll to Top