Tatimet, kompanitë e transportit aplikojnë për kompensimin e naftës, totali 250 milionë lekë
Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar se, në zbatim të vendimit të Qeverisë, shoqëritë e transportit publik (qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas) përfitojnë kompensim financiar në masën 50 lekë për litër karburanti të konsumuar gjatë periudhës mars–maj 2026. Vlera totale e parashikuar për këtë masë mbështetëse financiare është 250,000,000 lekë.
Aplikimet duhen paraqitur pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse pas datës 10 të muajit pasardhës. Afati i fundit për pranimin e kërkesave është data 1 gusht 2026.
Tatimet u kanë bërë thirrje subjekteve që plotësojnë kriteret të aplikojnë brenda afateve ligjore për të përfituar kompensimin financiar.
Në fillim të majit, Qeveria shqiptare miratoi masën e subvencionimit për sektorin e transportit publik, si një përpjekje për të lehtësuar kostot e operatorëve në një periudhë të karakterizuar nga rritja e çmimeve të hidrokarbureve. Masa përfshin transportin qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas dhe synon të stabilizojë funksionimin e këtij shërbimi, i cili është jetik për lëvizjen e qytetarëve.
Sektori i transportit është ndër më të ndjeshmit ndaj luhatjeve të çmimeve të karburanteve, duke ndikuar drejtpërdrejt në strukturën e kostove dhe marzhet e fitimit të operatorëve. Rritja e vazhdueshme e shpenzimeve operative ka shtuar presionin mbi kompanitë, të cilat në disa raste kanë sinjalizuar nevojën për rishikim të tarifave.
Në prill, operatorët e transportit publik reduktuan ndjeshëm kapacitetin e tyre, si protestë ndaj rritjes së çmimit të naftës, duke detyruar qeverinë të premtojë kompensimin e tyre.
