Nga Shqipëria drejt Kosovës, kapen 300 kg eksploziv në furgon në Vermicë
Dogana e Kosovës ka njoftuar se të dielën ka konfiskuar rreth 300 kilogramë lëndë plasëse në pikën kufitare të Vërmicës. Ky operacion u zhvillua në koordinim me policinë kufitare, e cila po kryen procedurat ligjore përkatëse.
Sipas autoriteteve doganore, drejtuesi i furgonit kishte deklaruar fillimisht se nuk transportonte mallra që duheshin paraqitur. Megjithatë, një kontroll i detajuar në vijën e dytë zbuloi sasinë e madhe të eksplozivit. Ky i fundit ishte paketuar në thasë dhe fshehur në bagazh, i maskuar me pajisje peshkimi.
Ndaj personit të dyshuar është hapur procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave të Kosovës.
Institucioni ka theksuar se mbetet i përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe parandalimin e çdo aktiviteti të paligjshëm në kufi.
