Zbulohen prapaskenat e konfliktit fizik te Milani: Alegri kundër Ibrahimoviç, i përfshirë edhe Tare.
Klubi i Milanit është kthyer në javët e fundit në një ambient ku brenda tij faktorë të ndryshëm punonin kundër njëri-tjetrit. Këto hollësi po dalin gjithnjë e më shumë në mediat italiane, ku raportohet se përplasja kryesore ishte mes trajnerit Masimiliano Alegri dhe ish-sulmuesit Zlatan Ibrahimoviç. Të dy palët kanë qenë pranë një konflikti fizik.
Një deklaratë e lëshuar rreth dy javë më parë nga gazetarja Monika Kolombo e “Corriere Della Sera”, e cila ndjek prej vitesh skuadrën kuqezi dhe ka burime të sigurta brenda klubit, ka bërë xhiron e mediave. Ajo zbuloi se miqësia mes trajnerit dhe ish-sulmuesit ishte prishur kur ata u përplasën fizikisht në një restorant, ku prezentë ishin edhe Furlani dhe Tare.
“Krisja mes Alegrit dhe Ibrahimoviç, që ka rrënjë të thella në kohë, ndodhi në një restorant, në prani të Furlanit dhe Tares. Vetë Tare është detyruar të ndajë fizikisht trajnerin dhe suedezin”, tregoi ajo, duke u bazuar në burime të sigurta pranë klubit.
Kolombo shtoi: “Sa kam informacion, Ibrahimoviç nuk është parë në dhomat e zhveshjeve të stadiumit apo të klubit prej tre muajsh. Për t’u afruar duhet një përballje mes tij dhe Alegrit, por kjo nuk ka ndodhur kurrë. Palët nuk komunikojnë dhe të vazhdosh kështu është e pamundur.”
Ajo sqaroi se një nga pikat e debatit ishte vendosja e portierit të tretë për sezonin e ardhshëm, por kjo ishte thjesht një pretekst për të ringjallur tensionin e vjetër. Situata u përkeqësua kur Alegri mësoi për kontaktet e Ibrahimoviç me Kasano.
“Po ashtu, nuk ndihmoi fakti që Ibrahimoviç ka kontaktuar Leao dhe Fofana, duke u dhënë këshilla taktike të ndryshme nga ato që u jepte trajneri në stërvitje”, përfundoi Kolombo, duke theksuar se këto ngjarje paraprinë kaosin që shpërtheu te Milani ditët e fundit.
