Përshkallëzohet konflikti mes Trump-it dhe BBC, ku ish-presidenti kërkon tërheqjen e një dokumentari, falje dhe kompensim prej 1 miliardë dollarësh, ose përndryshe kërcënon me padi.
Konflikti mes ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe BBC-së ka hyrë në një fazë të re. Ngjarja shkaktoi pas publikimit të një dokumenti të brendshëm të BBC-së nga gazeta “Daily Telegraph” javën e kaluar. Ky dokument theksonte një “paragjykim sistematik” dhe shkelje të etikës në trajtimin e disa temave. Gjithashtu, përmendej një episod nga emisioni ikonik “Panorama”, ku një fjalim i Trump-it u modifikua në mënyrë që të krijonte përshtypjen se ai kishte nxitur sulmin e mbështetësve të tij në Kapitol në janar 2021. Ky dokumentar u transmetua në tetor 2024, vetëm pak ditë para zgjedhjeve presidenciale amerikane.
Të nesërmen e publikimit të dokumentit, drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe drejtoresha ekzekutive e lajmeve, Deborah Turness, dhanë dorëheqjen.
Presidenti Trump, përmes një letre katërfaqeje dërguar grupit mediatik, pretendon se ky emision dëmtoi imazhin e tij para zgjedhjeve amerikane, duke ndërhyrë kështu në procesin zgjedhor. Për këtë arsye, ai i kërkon BBC-së të tërheqë emisionin, të kërkojë falje dhe të paguajë kompensim. Përndryshe, Trump paralajmëron se do ta padisë BBC-në, duke kërkuar dëmshpërblim mbi 1 miliard dollarë.
Drejtori i BBC-së, Samir Shah, i është drejtuar Komitetit për Kulturë, Media dhe Sport të parlamentit britanik, duke dhënë shpjegime dhe duke kërkuar falje për gabimin, të cilin e ka cilësuar si “gabim gjykimi”. Më pas, BBC-ja i ka dërguar një letër faljeje presidentit Trump, ku përveç faljes, angazhohet të mos e transmetojë më emisionin në asnjë platformë, por refuzon të paguajë kompensim.
Megjithatë, kjo letër nuk e ka kënaqur presidentin Trump. Gjatë një udhëtimi me Air Force One, ai u shpreh për gazetarët: “Mendoj se duhet ta bëj. Më gënjyen. Ndryshuan fjalët që dilnin nga goja ime”. Ai shtoi se dëmshpërblimi që do të kërkojë do të jetë midis 1 dhe 5 miliardë dollarësh.
Në ditët në vijim, pritet me interes të madh një bisedë telefonike mes kryeministrit britanik Keir Starmer dhe presidentit amerikan, ku me siguri do të diskutohet edhe kjo çështje. Sidoqoftë, rrethet ligjore në Britani vlerësojnë se do të jetë e vështirë për presidentin amerikan të provojë qëllimin e keq në montazhin e dokumentarit, si dhe të dëshmojë se ky episod ndikoi në vendimin e votuesve amerikanë.
Megjithatë, kjo situatë ka forcuar narrativën e presidentit amerikan për “media të paragjykua” kundër tij. Pritet që javën e ardhshme të ketë më shumë sqarime mbi zhvillimet e mëtejshme.
Kronologjia e konfliktit Trump – BBC:
- 5 janar 2021: Anëtarë të lëvizjes «Save America» mblidhen në Uashington për të protestuar kundër rezultit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke pretenduar “mashtrim zgjedhor”.
- 6 janar 2021: Protestat vazhdojnë, ndërsa Trump mban një fjalim. Më pas, mbështetësit e tij sulmojnë Kapitol-in, duke ndërprerë seancat e Kongresit. Ngjarja shkakton pesë viktima mes protestuesve dhe një polic, si dhe dhjetëra të lënduar.
- 28 tetor 2024: Emisioni “Panorama” i BBC-së transmeton dokumentarin “Trump: Një Shans i Dytë?”, ku fragmente të fjalimit të Trump-it bashkohen për të krijuar përshtypjen se ai ka nxitur dhunë.
- 16 janar 2025: Emisioni diskutohet në një mbledhje të Komitetit të Etikës të BBC-së.
- Maj 2025: Këshilltari i etikës i BBC-së, Michael Prescott, dërgon një memo të brendshme që sinjalizon “paragjykim sistematik” dhe përmend përpunimin e diskutueshëm të fjalimit të Trump-it.
- 17 tetor 2025: Memoja e Prescott-it shqyrtohet nga Bordi Drejtues i BBC-së.
- 3 nëntor 2025: “Daily Telegraph” publikon detaje të memos, duke ngjallur reagime.
- 4 nëntor 2025: Komiteti parlamentar për Kulturë, Media dhe Sport kërkon shpjegime nga BBC-ja.
- 9 nëntor 2025: Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe drejtoresha ekzekutive e lajmeve, Deborah Turness, dorëhiqen.
- 10 nëntor 2025: BBC merr një letër nga ekipi ligjor i Trump-it, duke kërkuar tërheqjen e emisionit, falje dhe kompensim mbi 1 miliard dollarë, ose ndryshe padinë. Kryetari i BBC-së, Samir Shah, kërkon falje për “gabim gjykimi”. BBC i dërgon Trump-it një letër faljeje, duke u angazhuar të mos e transmetojë më emisionin, por duke refuzuar kompensimin.
- 15 nëntor 2025: Trump shprehet se nuk është i kënaqur me letrën e faljes dhe ka “detyrim” të veprojë ligjërisht.
