Plani Sektorial i Ndërtimit: Kontrolle në terren për nëndeklarimin e pagave nga 15 janari
Në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke synuar deklarimin e pagave reale sipas profesioneve në sektorin e ndërtimit, Administrata Tatimore njofton se, rreth 30 ditë pas publikimit të listës së pagave indikative për këtë sektor, pra duke filluar nga data 15 janar, do të nisin kontrollet në terren.
Kontrollet do të përqendrohen kryesisht te subjektet e identifikuar me risk për nëndeklarim të pagave. Këto subjekte janë njoftuar më parë nga Administrata Tatimore, por nuk kanë bërë ndryshime në listëpagesa, pavarësisht njoftimeve elektronike të dërguara në llogaritë e tyre në sistemin tatimor, e-Filing.
Fokusi i inspektimeve do të jetë verifikimi i pagave të deklaruara në listëpagesa, duke i krahasuar ato me pagat indikative sipas profesioneve përkatëse. Kjo listë është dërguar në llogaritë elektronike të tatimpaguesve dhe është publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore.
Dëshirojmë t’ju informojmë se çdo tatimpagues që deklaron paga nën nivelin e pagave indikative, ose që ndryshon profesionin e punonjësve me qëllim shmangien e deklarimit real të pagave, duke rrezikuar kështu pagesën e kontributeve shoqërore dhe pensionin, do të konsiderohet me risk dhe do t’i nënshtrohet kontrollit nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të marrin masat e nevojshme ligjore për deklarimin e saktë të pagave të punonjësve, në mënyrë që të shmangin masat administrative dhe ligjore.
Më poshtë gjendet mesazhi elektronik, i cili u është dërguar tatimpaguesve të identifikuar me risk në sektorin e Ndërtimit, datë 15.12.2025:
Administrata Tatimore ka filluar zbatimin e planit në Sektorin e Ndërtimit (Procesi i ndërtimit dhe aktiviteteve ndihmëse të tij), me qëllim ndërgjegjësimin e tatimpaguesve, por edhe marrjen e masave për deklarim real dhe në kohë të detyrimeve tatimore.
Administrata Tatimore disponon të dhëna për ju, të marra nga burime të ndryshme, si APT, organet e qeverisjes vendore, agjencitë imobilare, deklaratat tatimore, listëpagesat mujore, faturat e fiskalizuara të vetëdeklaruara, të dhëna nga furnitorët tuaj për furnizime mallrash dhe shërbimesh ndaj jush, etj.
Administrata Tatimore ju nxit të përmbushni detyrimin tuaj lidhur me:
- Deklarimin e çdo punonjësi të punësuar.
- Deklarimin real të pagave, bazuar në profesion dhe tregun e punës.
- Për çdo shitje/transaksion të kryer nga ana juaj, lëshimin e faturave të fiskalizuara me NIVF/NSLF (përfshirë edhe parapagimet).
- Blerjen e çdo malli/shërbimi me faturë të rregullt tatimore.
- Deklarimin me saktësi të të dhënave në regjistrin e Tatimpaguesit.
- Deklarimin e saktë të kontratave të qiramarrjes së ambienteve.
- Përdorimin vetëm të software-ve të çertifikuara të fiskalizimit.
Mospërmbushja e pikave të mësipërme dhe çdo sjellje tjetër me qëllim shmangien tatimore që vihet re në analizat e Administratës Tatimore, ju kategorizon si subjekt me risk. Për këtë arsye, do të ndërmerren veprime verifikuese dhe monitoruese nga strukturat e Administratës Tatimore.
Mosdeklarimi i punonjësve dhe nëndeklarimi i pagave të tyre konsiderohet një shkelje e rëndë, pasi cënon garantimin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Për këtë qëllim, ndaj çdo tatimpaguesi të vlerësuar me këtë risk do të ndërmerren hetime dhe kontrolle të thelluara për çdo proces të aktivitetit të tyre, duke përfshirë edhe transaksionet me burime të ardhurash të dyshimta, në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera ligjzbatuese.
Ne mbetemi me besimin se do ta vlerësoni dhe mirëkuptoni këtë thirrje, e cila ka si qëllim jo vetëm uljen e informalitetit në ekonomi, por gjithashtu vendosjen e drejtësisë sociale ndaj punonjësve tuaj.
