KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurores Miranda Bushi

KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurores Miranda Bushi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores Miranda Bushi. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Albana Shtylla, me relator Sokol Çomon dhe anëtare Mimoza Tasin, Natasha Mulajn dhe Rezarta Schuetz. Ky vendim u mor pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të subjektit kundër vendimmarrjes së Komisionit të Përkohshëm të Vetingut (KPK). Vendimi i KPA-së është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Prokurorja Miranda Bushi u shkarkua nga detyra më 25 maj 2023, pasi shumica e trupës së KPK-së vlerësoi se ajo kishte bërë deklarime të pamjaftueshme lidhur me kriterin e pasurisë dhe se nuk kishte burime të ligjshme për krijimin e tyre, si dhe për mbulimin e shpenzimeve.

Miranda Bushi e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në dhjetor të vitit 1992 si prokurore në Prokurorinë e Matit, detyrë që e ushtroi deri në shtator 1997. Në vitin 1998 ajo u largua nga Shqipëria për t’u bashkuar me bashkëshortin në emigrim dhe u rikthye në vend në vitin 2004. Nga viti 2004 deri në 2008-ën ka ushtruar detyrën e kancelares në ish-Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë. Më pas, në periudhën janar 2008 – qershor 2012, ka qenë drejtoreshë e kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme. Nga qershori 2012 u riemërua prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku shërbeu deri në shkarkimin e saj nga detyra.

Scroll to Top