KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit Elio Mazreku

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur të lërë në fuqi shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Elio Mazreku. Vendimi, i cili u mor të enjten, më 20 nëntor, ishte unanim dhe erdhi pas shqyrtimit të apelimit të Mazrekut kundër vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatoe Albana Shtylla dhe anëtarë Sokol Çomo, Mimoza Tasi e Rezarta Schuetz, mori këtë vendim pas shqyrtimit në dhomë këshillimi.

Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Elio Mazreku ishte shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më datë 23 nëntor 2023. Arsyeja kryesore e shkarkimit ishte se ai nuk arriti një nivel të besueshëm për pasurinë. Megjithatë, Mazreku u vlerësua pozitivisht për figurën dhe arriti nivel kualifikues për profesionalizmin.

Ai e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punoi për më shumë se dy dekada si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës.

Scroll to Top