KPA shqyrton ankimin për vetingun e prokurorit Agron Bushati

KPA shqyrton ankimin për vetingun e prokurorit Agron Bushati

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) u njoh të mërkurën, më 5 nëntor, me parashtrimet lidhur me çështjen e vetingut të prokurorit të Shkodrës, Agron Bushati, duke u fokusuar në gjetjet në kriterin profesional dhe etikën.

Prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, deklaroi se janë konstatuar shkelje, sjellje dhe veprime në kundërshtim me standardet e etikës së magjistratit, të cilat cenojnë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Ai kërkoi shkarkimin e Bushatit nga detyra.

Nga ana tjetër, prokurori Agron Bushati dhe përfaqësuesja e tij ligjore, avokatja Romina Zano, i cilësuan shkaqet e ankimit si të pamjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i cili e kishte konfirmuar subjektin në detyrë.

Paraqitja para KPK dhe denoncimi për videon

Prokurori Agron Bushati u përball me KPK më 27 shtator 2023. Gjatë seancës dëgjimore, ai u pyet kryesisht lidhur me një denoncim të minutave të fundit, ku paraqitej një video ku ai shfaqej me armë të ftohta dhe prova të prokurorisë, brenda makinës së tij të parkuar në rrugë, duke luajtur me të bijën. Ai sqaroi se praktikon artet marciale dhe se videoja ishte një moment familjar për të ngushëlluar vajzën.

Bushati kërkoi që kjo video të mos cënonte karrierën dhe pagën e tij, të cilën e cilësoi si të ardhurën kryesore për familjen.

KPK nuk evidentoi probleme në kriterin e pasurisë dhe figurës, ndërsa në aspektin profesional u trajtuan masat disiplinore të marra ndaj tij, si dhe disa denoncime dhe kallëzime penale. KPK vendosi ta konfirmojë Bushatin në detyrë, duke transferuar pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) të dhënat e denoncimit të fundit për verifikim të mëtejshëm.

Ankimi i Komisioneres Publike

Komisionerja Publike, Irena Nino, ankimoi më 3 nëntor vendimin e KPK, duke kërkuar shkarkimin e prokurorit Agron Bushati për probleme në kriterin profesional. Ajo argumentoi se mosveprimet e tij në hetimin e disa procedimeve, si dhe nxjerrja e armëve të ftohta nga dhoma e provave dhe mbajtja e tyre në ambient privat, cënojnë besimin e publikut te drejtësia.

Parashtrimet e Prokurorit Braho në KPA

Prokurori Braho u qëndroi shkaqeve të ankimit, duke nënvizuar praktikën e KPA lidhur me kompetencën e KPK për transferimin e çështjeve pranë ILD-së. Ai theksoi se shkeljet duhet të jenë jo serioze dhe brenda afatit të parashkrimit pesëvjeçar.

Lidhur me cënimin e besimit të publikut, Braho u shpreh se kjo ndodh kur sjelljet e magjistratëve minojnë integritetin e institucioneve të drejtësisë. Ai iu referua vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe Apelit Shkodër, ku sipas tij, është konstatuar se prokurori Agron Bushati në një çështje nuk ka kryer veprime sipas Kodit të Procedurës Penale.

Braho shtoi se kur subjekti u pyet lidhur me një kallëzim, u përgjigj se nuk mund të kujtonte asgjë për shkak të kalimit të një harku kohor të konsiderueshëm. Ai konkludoi se kjo sjellje cenon besimin e publikut te drejtësia.

Duke iu referuar videos, Braho përmendi sqarimet e Bushatit për një ngjarje intime familjare, ku ai bënte shaka me vajzën. Megjithatë, ai theksoi se veprimi i kryer nga Bushati bie në kundërshtim me standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes së magjistratit. Sipas Brahos, ngjarja është e paverifikueshme nga ILD për shkak të parashkrimit, dhe për këtë arsye u paraqit para KPA.

Drejtuesi i SPAK e vlerëson situatën si cënim të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë dhe kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin e prokurorit Agron Bushati.

Përgjigjja e Përfaqësuesës Ligjore të Subjektit

Avokatja Romina Zano deklaroi se shkaqet e ankimit janë të pabazuara, duke i cilësuar sjelljet si të paqëllimshme dhe pa pasoja reale, ose si mangësi formale të trajtuara me masë disiplinore. Ajo theksoi se rastet e evidentuara nuk tregojnë një model sjelljeje të përsëritur.

Lidhur me videon, Zano e cilësoi si një episod privat dhe të parashkruar, duke theksuar se mungojnë elementët shkak-pasojë për të cënuar besimin e publikut. Ajo shtoi se denoncimi një ditë para seancës në KPK synonte ta zinte në befasi subjektin, dhe se videoja nuk është bërë publike.

Zano argumentoi se objeket e shfaqura në video nuk kanë qenë pjesë e ndonjë hetimi aktiv dhe nuk rezulton të jenë marrë nga dhoma e provave. Ajo shtoi se ekspozimi jashtë kontekstit ka krijuar dëm moral tek fëmijët e mitur të subjektit.

Për një procedim të vitit 2003, Zano nënvizoi se bëhet fjalë për një devijim metodologjie, por jo të sjelljes profesionale, pasi nuk ka pasur qëllim përfitimi. Ajo theksoi se kjo situatë nuk është përsëritur pas sanksionit të dhënë nga Prokurori i Përgjithshëm.

Kundërshtoi edhe konstatimet e tjera, duke argumentuar se moskujtesa e detajeve nga ana e subjektit lidhet me kalimin e kohës së gjatë, dhe se gabimet procedurale nga gjykata nuk mund të interpretohen si cënim i besimit publik.

Në përfundim, Zano deklaroi se shkaqet e evidentuara nuk arrijnë pragun e cenimit të besimit publik dhe nuk plotësojnë kriteret për shkarkim nga detyra.

Vazhdimi i procesit

Subjekti i rivlerësimit u përgjigj pyetjeve të relatores së trupit gjykues. Bushati dhe Zano kërkuan lënien në fuqi të konfirmimit.

Prokurori Braho deklaroi se për denoncimet e reja nuk evidentohen shkaqe për vijimin e hetimeve.

Trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke pranuar aktet e depozituara nga subjekti, si dhe të mos çelë hetimin gjyqësor për denoncimin e ri.

U vendos mbyllja e shqyrtimit gjyqësor dhe palët u ftuan të paraqesin konkluzionet në seancën e ardhshme, më datë 13 nëntor, në orën 09:00.

Scroll to Top