KQZ fillon shpërndarjen e materialeve zgjedhore për 9 Nëntor

KQZ fillon shpërndarjen e materialeve zgjedhore në pesë bashki

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar shpërndarjen e materialeve zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme të 9 Nëntorit 2025. Materialet e nevojshme po shpërndahen në 5 bashki: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë. Këto materiale përfshijnë fletët e votimit, kutitë e votimit, proces-verbalet, dhomat e fshehtësisë dhe të gjitha artikujt e tjerë që garantojnë zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me Kodin Zgjedhor.

Pak ditë më parë, KQZ ka zhvilluar testin operacional të pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI) që do të përdoren në zgjedhjet e pjesshme të së dielës. Në zbatim të Kodit Zgjedhor, u përzgjodhën rastësisht 3% e pajisjeve që do të përdoren në zgjedhjet për kryetar bashkie në 5 qytete. Ky test synon të simulojë procesin e hapjes, mbylljes dhe identifikimit të zgjedhësve.

Simulimi i procesit në këtë test operacional verifikon elementë të tillë si:

  • A i përket votuesi asaj qendre votimi.
  • Nëse një votues tenton të votojë më shumë se një herë.
  • A ndodhet votuesi në qendrën e gabuar të votimit.
  • Si dhe sinjalet vizuale dhe akustike që pajisja lëshon në raste të tilla.

Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI). Këto pajisje, të vendosura në 472 qendra votimi në 5 bashki, do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.

Në ditën e votimit, zgjedhësi do të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike. Identifikimi do të bëhet përmes pajisjes PEI, ku, përveç dokumentit të identifikimit, do të regjistrohen edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve). Këto të fundit do të shërbejnë për evidentimin e rasteve të votimit të paligjshëm.

Scroll to Top