Kreditimi i ekonomisë, në rritje të lartë edhe për nëntorin
Kredia e re për ekonominë shqiptare u rrit përsëri për muajin nëntor, ndërsa viti 2025 po mbyllet me shifrat më të larta historike të huadhënies.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë:
- Për muajin nëntor, sektori bankar disbursoi kredi të reja në vlerën e 32.5 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 33.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
- Për 11-mujorin 2025, vlera progresive e kredisë së re arriti në 374.4 miliardë lekë, duke u rritur me 12.8% krahasuar me 11-mujorin e vitit të kaluar.
Kjo periudhë shënon vlerën më të lartë të kredisë së re të dhënë nga sektori bankar deri më sot.
Rritja e kreditimit mbështetet nga:
- Ritmet e kënaqshme të rritjes ekonomike.
- Kërkesa e lartë, veçanërisht në segmentin e individëve.
- Gjendja e mirë e bilanceve të bankave, që ndikon në një ofertë të lartë për kredi.
Kontributin kryesor në rritjen e kreditimit gjatë vitit 2025 po e jep segmenti i individëve. Kredia e re për individët arriti në 114.7 miliardë lekë, duke u rritur me 21.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje vërehet si në segmentin e kredisë për shtëpi, ashtu edhe në kredinë konsumatore.
Edhe pse që nga korriku i këtij viti kanë hyrë në fuqi disa masa kufizuese nga Banka e Shqipërisë lidhur me kredinë për blerje banese, duke përfshirë kritere të administrimit të rrezikut për raportin mes borxhit dhe të ardhurave, si dhe atë mes huasë dhe vlerës së pronës së financuar, efekti i tyre deri tani nuk duket të jetë shumë domethënës, pasi huadhënia për blerjen e banesave vazhdon të rritet.
Ndryshe nga individët, kredia për bizneset po rritet me një ritëm më të ngadaltë krahasuar me vitin 2024, por me një tendencë të ndjeshme përmirësimi në gjysmën e dytë të vitit. Për 11-mujorin 2025, sektori bankar ka disbursuar gjithsej 250 miliardë lekë kredi të reja për bizneset, me një rritje vjetore prej 6.8%.
Edhe rritja e portofolit total të kredisë, i matur si tepricë, shënoi një zgjerim të fortë gjatë nëntorit. Vlera e portofolit të kredisë për ekonominë arriti në 925.2 miliardë lekë, me një rritje prej afërsisht 19 miliardë lekësh krahasuar me tetorin. Me bazë vjetore, kredia shpejtoi ritmet dyshifrore të rritjes, duke u rritur me 12.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e portofolit mbështetet në masën më të madhe te segmenti i individëve, me një rritje vjetore pranë nivelit të 19.8%. Ndërsa për bizneset, rritja ngelet në nivele pak më të ulëta, me 9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Burimi: Banka e Shqipërisë
