Kredia e Ndërmarrjeve Shtetërore: Vlera më e ulët në 5 vite

Kredia e ndërmarrjeve shtetërore arrin vlerën më të ulët në pesë vjet

Portofoli i kredisë së ndërmarrjeve shtetërore ka arritur vlerën më të ulët që prej vitit 2021. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill, vlera totale e portofolit për ndërmarrjet publike ishte më pak se 14.8 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 29.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky portofol vazhdon të dominohet nga kredia për sektorin energjetik, e cila përbën më shumë se 94% të vlerës totale të huasë së ndërmarrjeve publike. Afërsisht 5% e portofolit i dedikohet sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, kryesisht për ndërmarrjen e Tiranës. Pjesa e sektorëve të tjerë në huatë e ndërmarrjeve publike është në vlera të papërfillshme.

Huamarrja e ndërmarrjeve shtetërore pranë bankave tregtare është përqendruar historikisht te kreditë e kompanive të sektorit energjetik, sidomos Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe ndërmarrjet e grupit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. Qëllimi kryesor i këtyre kredive ka qenë blerja e energjisë elektrike nga importi, dhe ato janë të siguruara me garanci sovrane nga qeveria shqiptare.

Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre kredive vitin e kaluar u rifinancuan nëpërmjet një marrëveshjeje me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila miratoi një hua për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Kredia, e garantuar nga qeveria shqiptare, kishte një vlerë të mbetur prej 45.75 milionë eurosh në fund të tremujorit të parë të këtij viti, sipas regjistrit të borxhit. Projekti synoi ristrukturimin e detyrimeve të OSHEE-së, duke i mundësuar kompanisë financimin indirekt të investimeve të kategorisë “të gjelbra”.

Ndërkohë, për shkak të kushteve më të favorshme hidrike dhe rënies së ndjeshme të çmimeve të energjisë në tregjet e huaja, nevojat për kredi të reja për financimin e importeve të energjisë duket se kanë qenë më të ulëta.

Rënia e vlerës së kredisë së ndërmarrjeve publike është ndikuar ndjeshëm edhe nga lëvizjet në kursin e këmbimit. Për pjesën dërrmuese, portofoli i kredisë është në Euro, dhe rënia e monedhës europiane ndaj Lekut gjatë viteve të fundit ka ulur vlerën e këtyre kredive.

Sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Financave, në regjistrin e borxhit publik, në fund të tremujorit të parë të këtij viti, vlera e kredive të garantuara për kompanitë e sektorit energjetik ishte 6.35 miliardë lekë. Kjo shumë përfshin gjashtë kredi të marra nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nga Raiffeisen Bank, Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Tirana Bank. Kreditë në fjalë skadojnë mes viteve 2026 dhe 2037.

Scroll to Top