Kreditë me probleme ulen, Banka e Shqipërisë: Niveli rekord 3.8%

Ulen kreditë me probleme, Banka e Shqipërisë: Në shkurt niveli është 3.8 për qind

Niveli i kredive me probleme ka pësuar rënie. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, rezulton se në shkurt huatë e këqija kanë zbritur në 3.8% nga 3.85% që ishin në janar, duke u kthyer në një nga nivelet më të ulëta në gati dy dekada.

Këto shifra konfirmojnë qëndrueshmërinë ekonomike të vendit, çka ka bërë që bizneset dhe qytetarët të paguajnë në kohë këstet e kredive. Këto të dhëna konfirmojnë, ndër të tjera, edhe ecurinë e mirë të sektorit bankar, i cili për shkak të qëndrueshmërisë së raportit të kredive me probleme ka dhënë më shumë hua për ekonominë.

Ekonomia shqiptare ka përfituar mbi 30 miliardë lekë kredi gjatë muajit shkurt të këtij viti. Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhënat nga të cilat vërehet se kjo shumë është më e madhja e regjistruar ndër vite për këtë periudhë. Gjatë viteve të kaluara, shuma e huave të dhëna nga bankat rezulton se është nën 30 miliardë lekë.

Zgjerimi i huadhënies së re është mbështetur kryesisht nga biznesi. Kreditë e reja për korporatat jofinanciare private arritën në 20.55 miliardë lekë në shkurt, nga 17.75 miliardë lekë një vit më parë, ose rreth 15.8% më shumë.

Tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme kanë rritur ndjeshëm rreziqet inflacioniste për vitin 2026. Kjo mund të shoqërohet me rritje të normave të interesit dhe si pasojë edhe ulje të aftësisë paguese të huamarrësve. Megjithatë, gjithçka varet nga kohëzgjatja e konfliktit në Lindjen e Mesme, i cili ka dhënë impakt në rritje të çmimeve të karburanteve.

Scroll to Top